Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, është gjetur i vdekur në moshën 78-vjeçare në vilën e tij të pushimit në Toskanë. Sipas raportimeve të mediave italiane, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.

Ngjarja vjen në një periudhë kur De Gennaro po përballej me një hetim të Prokurorisë së Caltanissetta-s, lidhur me dyshimet për pengim dhe devijim të hetimeve për atentatin mafioz të vitit 1992 në rrugën Via D’Amelio, ku mbeti i vrarë gjyqtari i njohur antimafia, Paolo Borsellino.
Më 1 dhjetor, Gjykata e Apelit pritej të shqyrtonte kërkesën për arrestimin e tij, pasi ajo ishte refuzuar fillimisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake.
Si u zbulua ngjarja?
Sipas informacioneve të para, 78-vjeçari ndodhej i vetëm në banesë. Familjarët kishin ngritur alarmin pasi kishin humbur kontaktet me të që nga mbrëmja e së premtes, 20 nëntor.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit, punonjësit e mirëmbajtjes së vilës njoftuan karabinierët, ndërsa më pas u angazhuan edhe ekipet e urgjencës.
Në vendngjarje mbërritën përfaqësues të Prokurorisë së Grosseto-s, mjeku ligjor dhe ekspertët e policisë shkencore, të cilët nisën hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Hetimet për vrasjen e Borsellinos
De Gennaro ishte përfshirë në hetimet lidhur me zhdukjen e të ashtuquajturës “axhenda e kuqe” të gjyqtarit Paolo Borsellino, një dokument që konsiderohet i rëndësishëm për zbardhjen e rrethanave të atentatit mafioz.
Ditët e fundit, autoritetet kishin kryer kontrolle në disa prona të tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në hetim.
Sipas dyshimeve të prokurorisë, ish-kreu i policisë dhe disa bashkëpunëtorë të tij mund të kenë penguar dhënien e dëshmive dhe të kenë fshehur dokumente të rëndësishme për hetimet.
Megjithatë, këto mbeteshin pretendime të organit të akuzës dhe nuk kishte një vendim gjyqësor që vërtetonte fajësinë e tij.
Reagime pas vdekjes
Avokati i tij, Francesco Bertorotta, reagoi i tronditur, duke kritikuar ashpër akuzat dhe presionin publik ndaj klientit të tij.
“Jam i shokuar dhe i shkatërruar. Këto janë pasojat e akuzave shpifëse që i serviren opinionit publik”, deklaroi ai.
Edhe vëllai i gjyqtarit të vrarë, Salvatore Borsellino, kritikoi prokurorët, duke i akuzuar se kishin ushtruar presion që, sipas tij, mund të ketë ndikuar në vendimin tragjik.
Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh thellësisht e tronditur nga vdekja e ish-zyrtarit të lartë.
Kush ishte Gianni De Gennaro?
De Gennaro e nisi karrierën në Policinë italiane në vitin 1973, pasi kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin La Sapienza të Romës.
Për më shumë se një dekadë bashkëpunoi me gjyqtarin Giovanni Falcone në luftën kundër mafias, ndërsa më vonë drejtoi Drejtorinë e Hetimit Antimafia.
Në vitin 2000 u emërua drejtor i përgjithshëm i Policisë italiane, detyrë që e ushtroi deri në vitin 2007.
Gjatë karrierës së tij mbajti edhe poste të tjera të rëndësishme, përfshirë drejtimin e strukturave të inteligjencës dhe presidencën e kompanisë së mbrojtjes Leonardo.
Vdekja e tij ka nxitur reagime në Itali, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/





