Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur në Kuvendin e Kosovës lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Gjatë fjalimit të tij, Konjufca është arsyetuar për mungesën e progresit në disa fusha, duke theksuar se periudha e përfshirë në raport është karakterizuar nga tri palë zgjedhje dhe një bllokadë e gjatë institucionale, me Kuvend jofunksional dhe Qeveri në detyrë.

Sipas tij, Komisioni Evropian e ndërlidh drejtpërdrejt ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, e cila ka ndikuar në funksionimin e institucioneve dhe ka vonuar zbatimin e reformave strukturore.
“Raporti mbulon nga shtatori 2025 deri në shtator 2026 dhe gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri palë zgjedhje, dy palë të parakohshme dhe një palë komunale. Pa president të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jofunksional për pjesën më të madhe të kohës. Raporti konstaton se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kuvendi punoi vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ishte në detyrë në pjesën më të madhe të periudhës.
Madje, edhe në këtë kohë pati një ndërprerje prej tri javësh, nga 6 marsi deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më 25 mars. Sipas raportit, kjo e kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe i vonoi reformat strukturore. Komisioni e ndërlidh drejtpërdrejt ngadalësimin me bllokadën. Progresi në reformat e Bashkimit Evropian mbetet i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe bllokadës politike”, ka deklaruar Konjufca.
Megjithëse Raporti i Progresit evidenton mungesë të përparimit në disa fusha, Konjufca ka vlerësuar se niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka shënuar rënie në asnjërën prej tyre.
“Mëgjithatë, pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se në vitin e kaluar, në së paku shtatë prej kapitujve. Së pari, në reformën e administratës publike, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në akuakulturë, në statistika, në politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, në drejtësi, liri dhe siguri, ndërsa në kapitullin që është gjyqësori, është përmirësuar gjendja në dimensionin e lirisë së shprehjes. Gjithmonë po e krahasoj me Raportin e Progresit të vitit 2025.
Në disa kapituj ka vlerësim për rënie të ritmit të reformave, pra ritëm më të ngadalshëm, por jo rënie në nivel tjetër, konstatim që i kishim tri palë zgjedhje, Kuvend të bllokuar dhe Qeveri në detyrë”, ka shtuar ai.
Konjufca ka kritikuar edhe mënyrën se si LDK-ja e ka paraqitur përgjegjësinë e Qeverisë për gjendjen e evidentuar në raport, duke thënë se kërkesa për seancë nuk e merr parasysh bllokadën institucionale.
“Kërkesa e LDK-së për këtë seancë e paraqet Qeverinë sikur të kishte pasur kompetenca të plota, duke neglizhuar bllokadën në të cilën ndodheshim”, ka deklaruar Konjufca.
Burimi: Dukagjini





