Personat që synojnë të humbin peshë shpejt shpesh u drejtohen metodave që, në vend të rezultateve afatgjata, mund të çojnë në rikthimin e kilogramëve të humbur.

Mjekja dhe nutricionistja María Jose Crispin, nga klinika Clínica Menorca në Madrid, ka identifikuar tri gabime të zakonshme që mund të pengojnë arritjen dhe ruajtjen e një peshe të shëndetshme.
Gabimi i parë është ndjekja e dietave ekstreme që premtojnë dobësim të shpejtë. Sipas Crispin, këto dieta mund të shkaktojnë humbje të masës muskulore dhe të lëngjeve, si dhe të ngadalësojnë metabolizmin.
Kur personat i rikthehen ushqyerjes së zakonshme, kilogramët e humbur mund të rikthehen, madje edhe në sasi më të mëdha. Për këtë arsye, ajo këshillon krijimin e zakoneve të shëndetshme afatgjata, në vend të kufizimeve të rrepta ushqimore.
Gabimi i dytë është përqendrimi vetëm te ushqimi, duke lënë pas dore aktivitetin fizik.
Crispin rekomandon kombinimin e ushtrimeve kardio me stërvitjen e forcës, pasi ky kombinim ndihmon në ruajtjen e masës muskulore, përmirësimin e kondicionit fizik dhe mirëmbajtjen e peshës së arritur.
Ndërkaq, gabimi i tretë është eliminimi i plotë i yndyrave nga ushqyerja e përditshme.
Nutricionistja thekson se shtimi në peshë lidhet kryesisht me marrjen e tepërt të kalorive, pavarësisht nëse ato vijnë nga yndyrat, proteinat, karbohidratet apo alkooli.
Ajo këshillon përfshirjen e yndyrave të shëndetshme në ushqyerjen e përditshme, si ato që gjenden te salmoni, vaji i ullirit dhe avokadoja. Në të njëjtën kohë, rekomandon kufizimin e yndyrave trans dhe tepricës së yndyrave të ngopura.
Sipas saj, çelësi për një dobësim të qëndrueshëm nuk është uria apo eliminimi i grupeve të tëra ushqimore, por një ushqyerje e ekuilibruar, aktiviteti fizik i rregullt dhe krijimi i zakoneve që mund të ruhen për një kohë të gjatë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




