Kampionia në fuqi e Kosovës nuk i la shumë hapësirë rivalit nga Suhareka, duke e kontrolluar ndeshjen që nga fillimi dhe duke e ndërtuar gradualisht epërsinë deri në 29 pikë në fund të takimit.
Skuadra e drejtuar nga Adis Beqiragiq e nisi përballjen me ritëm të lartë dhe e mbylli çerekun e parë me epërsi 23:12. Trepça vazhdoi me paraqitje bindëse edhe në vazhdim, duke e rritur vazhdimisht diferencën dhe duke mos e vënë në dyshim fitoren.

Ja’Cori Payne ishte ndër më meritorët për triumfin e mitrovicasve, me 18 pikë, pesë asistime dhe katër kërcime. Drilon Hajrizi kontribuoi me 17 pikë e tri kërcime, ndërsa James Graham e përfundoi ndeshjen me 16 pikë dhe gjashtë kërcime.
Në anën tjetër, Golden Eagle Ylli nuk arriti të përsëriste paraqitjet e mira të ndeshjeve të fundit, ndonëse vinte pas tri fitoreve radhazi.
Davonte Bandoo ishte ndër lojtarët më të dalluar të mysafirëve me 19 pikë, katër asistime dhe tri kërcime, ndërsa Khalil Shabazz shënoi 22 pikë. Megjithatë, gabimet në sulm dhe nëntë topat e humbur nga Shabazz ndikuan që Ylli të mos arrinte të rivalizonte deri në fund.
Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për Trepçën, e cila po kalon një periudhë pozitive. Pas gjashtë xhirove, mitrovicasit kanë katër fitore dhe dy humbje.
Ndërkohë, Ylli e ndërpreu serinë prej tri fitoreve dhe tashmë ka bilanc të barabartë, me tri fitore dhe tri humbje në kampionat.
Burimi: RTKLive




