Pas dy aksidenteve të rënda hekurudhore në Spanjë, ku brenda më pak se një viti kanë humbur jetën të paktën 115 persona, vëmendja është kthyer edhe te siguria e rrjetit hekurudhor zviceran.

Një ekspert i ETH Zürich paralajmëron për sfidat në mirëmbajtjen e infrastrukturës.
Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën duke shkaktuar dhjetëra viktima, ka ngritur pikëpyetje për sigurinë e transportit hekurudhor edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Zvicrën.
Në një artikull të publikuar më 30 tetor nga mediumi zviceran Watson, trajtohet gjendja e infrastrukturës hekurudhore në Zvicër dhe sfidat me të cilat përballet sistemi për shkak të rritjes së qarkullimit të trenave.
Profesori Patrick Braess, ekspert i infrastrukturës hekurudhore në ETH Zürich, thotë se rrjeti hekurudhor zviceran është gjithnjë e më shumë nën presion, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, në linjat hekurudhore po qarkullojnë gjithnjë e më shumë trena, me shpejtësi më të larta, përshpejtim më të madh dhe peshë më të rëndë.
Këta faktorë rrisin ngarkesën dhe konsumimin e shinave.
Braess shpjegon se rritja e ngarkesës në boshtet e trenave mund të shkaktojë konsumim dukshëm më të madh të shinave dhe materialeve mbështetëse. Ai thekson gjithashtu se qarkullimi më i shpeshtë i trenave gjatë natës po shkurton kohën në dispozicion për punimet e mirëmbajtjes.
Një tjetër sfidë që përmend eksperti është mungesa e personelit të specializuar. Sipas tij, Zvicrës i nevojiten më shumë inxhinierë dhe punëtorë të kualifikuar për mirëmbajtjen dhe kontrollin e infrastrukturës hekurudhore.
Megjithatë, Braess nuk shpreh alarm për gjendjen e rrjetit zviceran, por e cilëson atë një sfidë që kërkon vëmendje dhe investime të vazhdueshme.
Ndërkohë, sipas të dhënave të cituara nga mediumi Watson, rrjeti hekurudhor i Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB) përfshin rreth 3.256 kilometra linja.
Për periudhën aktuale katërvjeçare, shteti zviceran ka ndarë rreth 2.63 milionë franga për kilometër për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tij.
Artikulli vë në pah edhe dallimin mes investimeve në Spanjë dhe Zvicër: në Spanjë, pjesa më e madhe e fondeve gjatë vitit 2025 ishte orientuar drejt projekteve të reja hekurudhore, ndërsa në Zvicër rreth dy të tretat deri në tri të katërtat e mjeteve për rrjetin hekurudhor shkojnë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese.
Aksidenti në Spanjë, ku deri në publikimin e raportimit ishin konfirmuar të paktën 69 viktima, ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e sistemeve të sigurisë, mirëmbajtjes së rregullt dhe personelit të specializuar në transportin hekurudhor evropian./Telegrafi/




