Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë, pasi një automjet tip SUV është përplasur me një grup këmbësorësh dhe shitësish ambulantë në lagjen North Hollywood të Los Angelesit, në Kaliforni.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të martën, rreth orës 17:55, pranë hyrjes së një stacioni metroje, në një kryqëzim të frekuentuar të zonës.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit (LAPD), një SUV i bardhë është përplasur me të paktën pesë këmbësorë, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angelesit ka konfirmuar se tre persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa disa të tjerë janë dërguar me urgjencë në spitalet lokale në gjendje kritike.
Në mesin e të plagosurve është edhe drejtuesi i automjetit, një burrë rreth të 60-ave, i cili po ashtu ndodhet në gjendje kritike.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Kapiteni i policisë, Warner Castillo, ka bërë të ditur se po kryhen teste për të përcaktuar nëse shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit apo të substancave të tjera në momentin e përplasjes.
Policia po kërkon gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë nga zona dhe stacioni i metrosë, me qëllim rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.
Shefi i Policisë së Los Angelesit, Jim McDonnell, ka deklaruar se hetimi do të jetë i detajuar për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi tragjedia.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të gjithë personat e prekur nga kjo ngjarje.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera lidhur me identitetin e viktimave dhe gjendjen e të plagosurve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





