Atmosferë festive, përkushtim dhe tradita shqiptare kanë mbizotëruar në përgatitjet e North Sunshine Eagles për fundjavën e madhe të Kupës Shqiptare 2026 (Albanian Cup 2026).

Gratë e komunitetit janë bërë bashkë edhe këtë vit për të përgatitur piten tradicionale shtëpiake, një nga traditat më të dashura që shoqëron këtë aktivitet dhe që vazhdon të mbajë gjallë shijet dhe kulturën shqiptare.
Përgatitjet janë zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë, të mbushur me të qeshura, bashkëpunim dhe përkushtim, ndërsa organizatorët kanë shprehur mirënjohje të veçantë për të gjitha gratë që kontribuojnë çdo vit me kohën dhe punën e tyre për ta ruajtur këtë traditë.
Gjatë së shtunës dhe së dielës, vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë tri lloje të pites tradicionale: me mish, me djathë, si dhe me spinaq e djathë.
Kështu u tha përmes një video që ato kanë hedhur në Instagram, shkruan Telegrafi.
North Sunshine Eagles u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të paraqiten herët, pasi pitet tradicionale shiten shpejt, duke u kthyer në një nga pjesët më të pëlqyera të këtij aktiviteti.
Përtej shijes së ushqimit tradicional, kjo nismë përfaqëson një mënyrë të veçantë për të ruajtur trashëgiminë shqiptare, për të forcuar lidhjet brenda komunitetit dhe për të përcjellë traditat nga një brez te tjetri.
Me shijen e shtëpisë dhe frymën e bashkimit, pitet shqiptare mbeten një nga elementet që i japin identitet dhe ngrohtësi festës së Albanian Cup 2026./Telegrafi/




