Themelorja obligon “Durante Group” që nuk e përmbushi kontratën, t’ua paguajë mbi 996 mijë euro pronarëve të truallit në Mitrovicë

Themelorja obligon “Durante Group” që nuk e përmbushi kontratën, t’ua paguajë mbi 996 mijë euro pronarëve të truallit në Mitrovicë

Themelorja obligon “Durante Group” që nuk e përmbushi kontratën, t’ua paguajë mbi 996 mijë euro pronarëve të truallit në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht padinë në rastin për mospërmbushje të kontratës nga investitori B.G., me kompaninë “Durante Group” për ndërtimin e objektit afarist-banesor. Gjykata ka urdhëruar të paditurit të paguajnë nëmënyrë solidare shumën totale prej 996 mijë e 100 euro, në emër tëfitimit të humbur nga qiradhënia për paditësit.

Sponsor 3M Express

Në këtë rast, N.M., Xh.M (dhe fëmijët e saj M.M, E.M dhe E.M) si dhe F.M., kanë paditur “Durante Group” për moskryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur mes tyre dhe B.G., pronar i “Durante Group”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil përmes aktgjykimit të datës 4 nëntor 2026 ka aprovuar pjesërisht padinë e paditësve, duke e konstatuar të zgjidhur sipas fuqisë ligjore marrëveshjen për bashkëndërtim dhe duke obliguar të paditurit “Durante Group” dhe investitorin B.G., që solidarisht t’ia kompensojnë paditësve dëmin material.

Sipas vendimit të Themelores, në emër të fitimit të humbur nga qiradhënia, të paditurit duhet të paguajnë shumën prej 450 mijë e 800 euro për paditësin N.M., 92 mijë euro për paditësin F.M., si dhe 453 mijë e 300 euro për paditësit tjerë, kështu në shumë totale prej 996 mijë e 100 euro.

Të paditurit obligohen t’i paguajnë këto me kamatë ligjore përkatëse, që nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, me afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Ndërsa, u refuzua si e pabazuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësve, përmes së cilës kishin kërkuar kompensimin në emër të fitimit të humbur të shitblerjes dhe në emër të dëmit jomaterial.

Ndërsa, u refuzua plotësisht kundërpadia e të paditurve me të cilën ndër të tjera, kishin kërkuar që paditësit të paguajnë në emër të dëmit real dhe fitimit të humbur dhe atë në shumë të përgjithshme prej 2 milionë e 949 mijë e 26 euro 19 centë, si dhe vërtetimin e së drejtës së pronësisë.

Gjykata obligoi palët e paditura t’ua paguajnë paditësve shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 19 mijë e 439 euro.

Arsyetimi i Themelores

Sipas aktgjykimit, Gjykata ka konstatuar se palët kishin lidhur marrëveshjen për bashkëndërtim përmes së cilës pala paditëse ia kishte vënë në dispozicion investitorit truallin për ndërtimin e një objekti banesor. Tutje, palët kishin lidhur edhe kontratën mbi ndarjen e objektit, përmes së cilës ishte përcaktuar ndarja e hapësirave, ku 20% i takonin pronarëve të truallit dhe 80% investitorit.

Sipas aktgjykimit, me marrëveshje, i padituri kishte marrë përsipër përfundimin e objektit me sistemin “çelësat në dorë”, brenda afatit të caktuar. Megjithatë, punimet kishin mbetur të papërfunduara, ndërsa objekti kishte arritur vetëm fazën e konstruksionit të vrazhdë.

Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se përmes ekspertizës së ndërtimtarisë, është vërtetuar se objekti nuk i plotësonte kushtet minimale për banim, pasi punimet e brendshme, instalimet, korridoret, ujësjellësi dhe kanalizimi nuk ishin përfunduar.

Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar pretendimi i palës së paditur se paditësit kanë pamundësuar vazhdimin e punimeve nga investitori, duke iu referuar edhe dëshmisë së V.M., i cili kishte deklaruar se paditësi N.M., nuk kishte qenë pengesë për realizimin e projektit dhe se kishte kërkuar që punimet të përfundoheshin sa më shpejtë pasi kishin mbetur pa shtëpi.

“…Duke marrë parasyshë faktin se paditësit/kundërpaditurit kanë dhënë tokën me qëllim ndërtimi nuk kanë pasur interes pengimin e ndërtimit”, thuhet në vendim.

Gjykata ka konstatuar se investitori nuk e kishte përmbushur detyrimin kryesor të marrë përsipër me kontratë, edhe përkundër faktit se paditësit me parashtresë kishin njoftuar investitorin për mospërmbushjen e kontratës dhe kishin kërkuar përmbushjen e saj.

“Rreziku i dështimit të ortakërisë së të paditurit me shtetasin gjerman S.H. bie ekskluzivisht mbi vetë investitorin. Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD) nuk e liron debitorin nga përgjegjësia nëse mospërmbushja është shkaktuar nga personat që ai vetë i ka angazhuar ose i ka bërë ortakë pa pëlqimin zyrtar të kreditorëve. Fakti që i padituri ka fituar një kontest përmbarimi ndaj ortakut gjerman në vlerë prej mbi 600,000.00 euro vetëm sa e përforcon bindjen e gjykatës se mosmarrëveshjet tregtare kanë qenë të natyrës së tij biznesore dhe nuk mund t’u mvishen si faj familjes M., e cila mbeti thjesht viktimë pasive e këtyre zvarritjeve.” thuhet në vendim.

Po ashtu, Themelorja ka vlerësuar se, nëse objekti do të ishte përfunduar dhe dorëzuar sipas kontratës, njësitë banesore dhe lokalet do të mund të gjeneronin të ardhura të rregullta nga qiradhënia për paditësit, duke konsideruar se fitimi i humbur është pasojë e drejtpërdrejtë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale.

“Dëmi është real, i matshën, dhe i vërtetuar përmes raporteve të ekspertit financiar”, vlerësoi Themelorja.

Sa i përket kërkesës për kompensimin e fitimit të humbur nga shitblerja e banesave dhe lokaleve, Gjykata e ka refuzuar me arsyetimin se paditësit kishin kërkuar njëkohësisht edhe fitimin e humbur nga qiradhënia edhe nga shitja, dhe sipas vendimit, aprovimi i të dyjave do të përbënte kompensim të dyfishtë për të njëjtat njësi pronësore.

Gjithashtu, shkalla e parë ka refuzuar kërkesën për kompensimin e dëmit jomaterial, përfshirë dëmin shpirtëror dhe psikologjik, si dhe kërkesat për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit nga diaspora dhe qëndrimit në hotele.

Ndërsa, Gjykata ka refuzuar edhe kundërpadinë e B.G., dhe “Durante Group” të datës 29 tetor 2021, përmes së cilës ishte kërkuar kompensimi i dëmit material dhe fitimit të humbur në shumën e përgjithshme prej 2 milionë e 949 mijë e 26 euro e 19 centë, si dhe vërtetimi i së drejtës së pronësisë në pjesën prej 80% të ngastrës kadastrale dhe objektit banesor.

“Pasi u vërtetua se vonesa dhe bllokimi i punimeve janë pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit menaxhues dhe kontraktual të vetë të paditurit B.G., (përmes ortakëve dhe operatorëve të paautorizuar që ai futi në kantier), kërkesa e tij për t’u kompensuar nga paditësit për dëm real dhe fitim të humbur në vlerë prej 2,949,026.19 Euro është plotësisht e pabazuar”, thuhet në aktgjykim.

Ndërsa, sa i përket kërkesës për vërtetim të së drejtës së pronësisë, Gjykata ka vlerësuar se marrëveshjet e lidhura ndërmjet palëve nuk përbënin bazë për bartjen e pronësisë së tokës tek investitori, por përcaktonin vetëm ndarjen e hapësirave të objektit pas përfundimit të punimeve.

Sipas padisë së ushtruar më 30 gusht 2007, N.M, S.M dhe F.M., kanë ushtruar aktpadi për moskryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet tyre dhe B.G., pronarit të “Durante Group Real Estate Development”.

Përmes padisë, është kërkuar nga B.G., që të kryejë objektin e ndërtimit sa më shpejtë dhe t’ua paguajë paditësve të gjitha obligimet financiare deri në dorëzim të çelësave të banesave dhe lokaleve.

Po ashtu, paditësit më 19 shkurt 2021 kanë bërë precizim të padisë duke qenë pjesë e palës paditëse edhe Xh.M. Ata kërkuan që të aprovohet në tërësi padia, ashtu që B.G., të obligohet që për shkak të mospërmbushjes së kontratës të paguajë shumën prej 300 mijë euro.

Ndërkaq, më 26 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin është lejuar ndryshimi i padisë në kuptimin subjektiv për palën paditëse, ashtu që në vend të paditësit S.M i cili ka vdekur, si paditës do të jenë trashëgimtarët e tij- bashkëshortja Xh.M dhe fëmijët M.M, E.M dhe E.M.

Mirëpo, i padituri G., më 29 tetor 2021 paraqiti kundërpadi, duke kërkuar nga gjykata që padia e palës paditëse të hudhet poshtë ose të refuzohet në tërësi, duke kërkuar që tani paditësit t’i njihet fitimi i humbur në vlerën prej 49 mijë e 300 euro dhe dëmin jomaterial e dëmtimin e imazhit në vlerën prej 8 mijë e 500 euro.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Ekskluzive | Aksion i Krimeve Kibernetike, disa persona të arrestuar

Ekskluzive | Aksion i Krimeve Kibernetike, disa persona të arrestuar

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

QMK me paralajmërim: Moti përkeqësohet nga sonte, reshje shiu dhe bore gjatë fundjavës

QMK me paralajmërim: Moti përkeqësohet nga sonte, reshje shiu dhe bore gjatë fundjavës