Ish-modelja zvicerane Beatrice Keul pretendon se është dhunuar seksualisht nga presidenti amerikan Donald Trump në vitin 1993.

Pas publikimit të një raporti të ri të demokratëve në Kongresin amerikan, ku përfshihet edhe dëshmia e saj për lidhjet e Trumpit me Jeffrey Epstein, ajo ka deklaruar se është kërcënuar dhe se përjetimi i leximit të dokumentit ishte sikur të dhunohej sërish.
“Leximi i raportit ishte sikur të dhunohesha përsëri”, ka thënë Keul, duke iu referuar dokumentit të publikuar më 26 tetor nga demokratët në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, shkruan BlueNews, transmeton Telegrafi.
Në dëshminë e saj, Keul pretendon se ngjarja kishte ndodhur në nëntor të vitit 1993, në një suitë të hotelit Plaza në Nju Jork, ku ajo ndodhej për një konkurs bukurie.
Sipas saj, në atë kohë ishte 24 vjeçe dhe ishte njohur me Trumpin dhe financierin Jeffrey Epstein, të cilët i kishin premtuar ndihmë për sigurimin e vizës amerikane dhe pranimin në Universitetin e Nju Jorkut.
Ajo pretendon se pas sulmit seksual Trump i kishte kërkuar të heshtte, ndërsa vazhdonte t’i premtonte ndihmë për dokumentet dhe studimet në SHBA.
Keul ka treguar se pas publikimit të raportit është përballur me interesim të madh nga mediat ndërkombëtare, por edhe me kërcënime.
Megjithatë, ajo ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për drejtësi dhe transparencë.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke e cilësuar raportin si të motivuar politikisht.
Pretendimet e Keulës ndaj Trumpit nuk janë vërtetuar në gjykatë, ndërsa ai nuk është akuzuar penalisht për këtë rast./Telegrafi/




