Kosova vazhdon të përballet me raste të rënda të vrasjeve të grave, të cilat kanë ngritur alarmin për mbrojtjen e viktimave.

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të krerëve institucionalë për luftimin e dhunës në familje, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të shumta, veçanërisht për shkak të dyshimeve për mungesë të veprimeve institucionale dhe dështim në ofrimin e mbrojtjes së nevojshme.
Me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, numri i grave të vrara nga familjarët gjatë këtij viti në Kosovë ka arritur në tetë.
Viktimat kishin histori të ndryshme, por rastet e tyre dëshmojnë përmasat e dhunës brenda familjes. Në mesin e tyre ishte një nënë rreth 60-vjeçare, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një grua që vetëm tri ditë para se të vritej kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Janar – Dragash
Viti nisi me një rast të rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare u gjet e vdekur.
Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohej se ajo ishte privuar nga jeta nga djali i saj, rreth 30-vjeçar.
Mars – Podujevë
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, ku humbën jetën dy gra dhe një burrë.
Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar me armë zjarri Ilaz Brahimin, 45-vjeçar, i cili vdiq në vendin e ngjarjes. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin.
Miradije Gashi vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e plagëve të marra. Edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital, pasi ishte vetëplagosur.
Gusht – Malishevë
Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe shtatzënë, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Jetlira Foniqi Bytyqi
Ajo dyshohej se ishte qëlluar nga bashkëshorti i saj, Egzon Foniqi, 26-vjeçar, i cili po ashtu kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë, pas trajtimit mjekësor.
Gusht – Prizren
Një tjetër rast i rëndë u regjistrua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81-vjeçar.
I dyshuari ishte arrestuar, ndërsa viktima kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse.
Shtator – Klinë
Në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81-vjeçare, dyshohet se ishte sulmuar në rrethana të rënda familjare nga djali i saj.
Ajo ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të lëndimeve të rënda.
Tetor – Gjilan
Të shtënat me armë zjarri në Livoç të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit.
Për rastin dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas ishte dorëzuar në Polici.
Tetor – Pejë
Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.
Për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili, sipas informatave të Policisë, ndodhet në arrati.




