Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka urdhëruar mobilizimin e të gjitha kapaciteteve për operacionet e kërkim-shpëtimit, pasi një tërmet me magnitudë 7.0 goditi rajonin e Tibetit, duke lënë të paktën 16 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.

Tërmeti goditi mbrëmjen e së enjtes një zonë me lartësi të madhe mbidetare dhe popullsi të rrallë në Tibetin verior, pranë qytetit Nagqu.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet kineze, dhjetëra persona janë lënduar, ndërsa qindra shtëpi janë shembur, duke lënë shumë banorë pa strehim, shkruan ap.
Xi u ka kërkuar ekipeve të shpëtimit që të bëjnë gjithçka për gjetjen e personave të zhdukur, t’u ofrojnë trajtim mjekësor të lënduarve dhe të minimizojnë humbjet e mëtejshme të jetëve.
Më shumë se 1600 persona janë angazhuar në operacionet e shpëtimit. Në zonat e prekura janë dërguar gjithashtu mijëra tenda, shtretër të palosshëm, veshje dimërore dhe njësi banimi të parafabrikuara për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti.
Lëkundjet kanë shkaktuar edhe ndërprerje të komunikimit në disa zona. Autoritetet kanë ndalur përkohësisht qarkullimin e trenave në rajonin e prekur, ndërsa rrëshqitjet e gurëve kanë detyruar mbylljen e një pjese të autostradës kombëtare 317.
Ekipet e emergjencës po punojnë për largimin e mbeturinave dhe hapjen e rrugëve, në mënyrë që automjetet e shpëtimit të kenë qasje në zonat e dëmtuara.
Situatën pritet ta vështirësojnë edhe më shumë kushtet atmosferike, pasi parashikohen reshje të herëpashershme bore gjatë ditëve në vijim.
Tërmeti është ndër më të fuqishmit që kanë goditur rajonin në pesë vjetët e fundit. Autoritetet kineze po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe operacionet për gjetjen e personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com




