Përplasje mes kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa, dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonomi, pas mungesës së Naime Binaku-Isufit, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, e cila ishte ftuar për raportim.

Sipas gazetares së Klan Kosovës, Sala Gashi, e cila po e përcjell nga afër ngjarjen, Mustafa bëri të ditur se Binaku-Isufi nuk ka marrë pjesë në mbledhje, duke thënë se ajo e ka refuzuar pjesëmarrjen.
Ai gjithashtu deklaroi se, sipas tij, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës nuk ka thirrur asnjë mbledhje të këtij institucioni për më shumë se një vit, transmeton Klankosova.tv.
Këto deklarata u kundërshtuan nga anëtarët e LVV-së, duke çuar në përplasje verbale mes tyre dhe Mustafës.
Pavarësisht mungesës së Binaku-Isufit, Mustafa insistoi që mbledhja të vazhdojë dhe që të mbahet rendi i ditës.




