Të shtëna me armë zjarri kanë shqetësuar qytetarët në Gjakovë mbrëmjen e së premtes, ku një mosmarrëveshje mes të rinjve dyshohet se ka përfunduar me përdorimin e armës. I dyshuari, një 17-vjeçar, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 23 tetor 2026, rreth orës 21:30, në afërsi të lokalit “Arra”, në rrugën “Beqir Kastrati”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të cilët ndodheshin në atë zonë, kanë dëgjuar disa krisma dhe kanë vërejtur një grup të rinjsh që po largoheshin me automjete.
Tre persona ishin larguar me një Volkswagen Passat karavan, ndërsa dy të tjerë me një automjet të tipit pick-up, me ngjyrë të bardhë.
Policët kanë ndjekur automjetet dhe i kanë ndaluar për verifikim. Gjatë kontrollit, kanë vërejtur se personat dukeshin të shqetësuar dhe i kanë pyetur nëse kishin pasur ndonjë problem me dikë.
Pikërisht aty ka dalë në pah dyshimi për një përplasje të mëhershme, që mund të ketë përfunduar me të shtëna armësh.
Njëri nga të rinjtë, i identifikuar me inicialet B.V., rreth 17-vjeçar, ka deklaruar se kishte pasur një mosmarrëveshje me një tjetër të mitur, me inicialet O.S., po ashtu rreth 17-vjeçar.
Sipas deklarimit të tij, ata kishin lënë të takoheshin te shkollat e mesme, në afërsi të lokalit “Tribuna”, për ta sqaruar mosmarrëveshjen.
Mirëpo, kur kishin mbërritur në vendin e takimit, i dyshuari O.S. dyshohet se nga një automjet, që përshkruhet si Ford ose Citroën, kishte shtënë disa herë me armë zjarri dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar edhe dëshmitarët Q.L, G.L dhe A.S.
Njësitë policore kanë kontrolluar vendin e ngjarjes, por nuk kanë gjetur gëzhoja.
Me urdhër të Prokurorisë është realizuar edhe bastisja e shtëpisë së 17-vjeçarit të dyshuar, mirëpo gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
I mituri nuk është lokalizuar dhe, sipas informacioneve policore, vazhdon të jetë në arrati.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe lokalizimin e të dyshuarit janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




