Një incident me armë zjarri ka shqetësuar banorët e rrugës “Bujar Syla” në Gjakovë, ku një i mitur dyshohet se ka shtënë me pistoletë. Rasti merr përmasa edhe më shqetësuese pasi mes të dyshuarit dhe një bashkëmoshatari të tij kishte pasur një incident të mëhershëm, i cili ishte raportuar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 26 tetor 2026, rreth orës 17:40, ndërsa burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është një 17-vjeçar, B.V..
Sipas informacioneve të siguruara, i mituri është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Gjakovë, duke marrë me vete një armë të shkurtër zjarri dhe duke deklaruar se kishte shtënë me të.
Policia ka sekuestruar menjëherë armën dhe ka dërguar njësitë përkatëse në vendin ku dyshohej se kishin ndodhur të shtënat.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar dy fishekë dhe një gëzhojë, të cilat do të shërbejnë si prova gjatë hetimeve.
Bashkëmoshatari i tij kishte dëgjuar të shtënat, por mendoi se ishin mjete piroteknike
Gjatë hetimeve, Policia ka identifikuar dhe intervistuar ankuesin, po ashtu të mitur, me inicialet O.S. (2009), si dhe një dëshmitar.
Sipas deklarimit të ankuesit, ai kishte dëgjuar disa të shtëna, por fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për mjete piroteknike.
Ajo që ngre shqetësime është se ankuesi ka deklaruar se me 17-vjeçarin e dyshuar kishte pasur edhe një rast të mëhershëm, i cili ishte raportuar në Polici.
Ende nuk është sqaruar natyra e atij incidenti dhe nëse të shtënat e fundit kanë lidhje me mosmarrëveshjen e mëparshme.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe kujdestarit të tij, por ka ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente për të mitur, e cila ka urdhëruar inicimin e procedurës për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me vendim të prokurorit, ndaj 17-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e të shtënave, drejtimin në të cilin është përdorur arma dhe lidhjen eventuale të incidentit me rastin e mëhershëm.
Shënim: Identitetet e të miturve janë mbrojtur. Përgjegjësia eventuale e të dyshuarit do të përcaktohet nga organet kompetente sipas legjislacionit për të mitur.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




