Fituesit e çmimeve “Topi i Artë” për vitin 2026 pritet të shpallen të hënën, më 26 tetor. Në mesin e të nominuarve për çmimin “Trajneri i Vitit” në futbollin e femrave është edhe Elena Sadiku, trajnerja me prejardhje nga Kosova, e cila ka bërë histori me klubin suedez BK Häcken.

Dy trajnerë suedezë janë në mesin e të nominuarve për çmimin “Topi i Artë” 2026, në kategorinë e trajnerit më të mirë të futbollit të femrave: Andrée Jeglertz dhe Elena Sadiku, shkruan mediumi suedez Fotbollskanalen.
Në moshën 32-vjeçare, Sadiku është trajnerja më e re e nominuar për çmimin “Trajneri i Vitit”, pas suksesit historik me BK Häcken në futbollin evropian.
Të martën u publikua lista e trajnerëve të nominuar për çmimet e këtij viti, ndërsa në kategorinë e futbollit të femrave, krahas Sadikut, figuron edhe trajneri suedez Andrée Jeglertz.
Jeglertz e udhëhoqi Manchester Cityn drejt një titulli historik në Superligën e Grave. Në përshkrimin e nominimit të tij theksohet përvoja e gjatë në futboll dhe filozofia e tij e drejtimit të ekipit.
“Kur Andrée Jeglertz mori drejtimin e Manchester Cityt përpara sezonit 2025/26, ai solli me vete më shumë se dy dekada përvojë si trajner i nivelit të lartë. Megjithatë, nuk ishte një dogmatizëm taktik i ngurtë që e dalloi vërtet trajnerin 53-vjeçar suedez, por një angazhim ndaj një filozofie diskrete dhe empatike: të udhëheqësh duke dëgjuar”, thuhet në përshkrimin e nominimit.
Sadiku, sukses historik me BK Häcken
Elena Sadiku mori drejtimin e BK Häckenit pasi Mak Lind e udhëhoqi ekipin drejt medaljes së artë në kampionatin suedez (SM). Nën drejtimin e saj, klubi ka fituar tashmë edhe një trofe të rëndësishëm, Kupën Evropiane të Femrave, duke shënuar një sukses historik për klubin suedez, transmeton Telegrafi.
Sadiku la menjëherë përshtypje të jashtëzakonshme dhe më pas e udhëhoqi ekipin drejt triumfit në këtë garë evropiane. Ky ishte nderi i parë ndërkombëtar për klubin që nga themelimi i tij në vitin 1970.
“Sadiku nuk është vetëm një trajnere shumë e vlerësuar. Ajo është një trajnere që bën diferencën”, thuhet në vlerësimin për të.
Përveç Sadikut dhe Jeglertzit, për çmimin e trajnerit më të mirë në futbollin e femrave janë nominuar edhe Pere Romeu i Barcelonës, Nils Nielsen i përfaqësueses së Japonisë dhe Jonatan Giraldez i Lyonit.
Ndërkohë, në kategorinë e trajnerit më të mirë në futbollin e meshkujve, në garë janë Mikel Arteta i Arsenalit, Luis de la Fuente i Spanjës, Unai Emery i Aston Villas, Vincent Kompany i Bayern Munichut dhe Luis Enrique i Paris Saint-Germainit.
Felicia Schröder, e nominuar për lojtarën më të mirë të re
Në mesin e të nominuarve për çmimet e këtij viti është edhe futbollistja suedeze Felicia Schröder, e cila së fundmi u largua nga BK Häcken për t’iu bashkuar Real Madridit.
Schröder është nominuar për çmimin e lojtares më të mirë të re në ceremoninë e “Topit të Artë”. Në këtë kategori janë nominuar edhe Veerle Buurman e Chelseat, Vicky López dhe Clara Serrajordi të Barcelonës, si dhe Lily Yohannes e Lyonit.
Në kategorinë e lojtarit më të mirë të ri në futbollin e meshkujve, të nominuar janë Kerim Alajbegovic i Juventusit, Ayyoub Bouaddi i Manchester Cityt, Pau Cubarsi i Barcelonës, Yan Diomande i Real Madridit, Lennart Karl i Bayern Munichut, Eli Junior Kroupi i Bournemouthit, Lamine Yamal i Barcelonës, Johan Manzambi i Aston Villas, Ibrahim Maza i Bayer Leverkusenit dhe Warren Zaire-Emery i Paris Saint-Germainit.
Fituesit e çmimeve “Topi i Artë” për vitin 2026 pritet të shpallen të hënën, më 26 tetor, kur do të mësohet nëse Elena Sadiku do ta fitojë çmimin prestigjioz për trajneren më të mirë në futbollin e femrave./Telegrafi/




