Të paktën 490 mijë e 334 ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Këto janë të dhënat që dalin nga statistikat e qeverisë ruse, të analizuara nga BBC.

Sipas BBC-së, të dhënat e publikuara pas një rrjedhjeje të dokumenteve nga agjencia ruse e statistikave Rosstat tregojnë ndikimin e madh të luftës në numrin e vdekjeve në Rusi dhe koston e lartë njerëzore të pushtimit të Ukrainës.
Të dhënat tregojnë se lufta ka prekur veçanërisht rëndë grupmoshat e reja. Rreth 65 për qind e meshkujve rusë të moshës 18 deri në 24 vjeç që kanë humbur jetën gjatë vitit 2025 kanë vdekur në luftë. Për grupmoshën 25 deri në 34 vjeç, kjo përqindje arrin në 59 për qind, transmeton klankosova.tv.
Vetëm te grupmosha 45 deri në 54 vjeç, sëmundjet kardiovaskulare kanë shkaktuar më shumë vdekje sesa lufta.
Analiza zbulon gjithashtu humbjet e mëdha të ushtrisë ruse gjatë luftimeve për kontrollin e vendbanimeve në Ukrainë. Rreth 20 mijë ushtarë rusë kanë vdekur në betejat për marrjen e 10 fshatrave ukrainase, të cilat para luftës kishin një popullsi të përbashkët prej vetëm 12 mijë banorësh.





