Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të shmangë vendimet e papritura gjatë bisedimeve të pritshme me presidentin rus Vladimir Putin në Kinë, javën e ardhshme, lidhur me luftën në Ukrainë.

Merz shprehu shqetësimin se takimi mund të përsërisë situatën e samitit Trump–Putin në Anchorage të Alaskës, i cili ishte konsideruar nga liderët evropianë si një moment potencialisht vendimtar për përfundimin e luftës në Ukrainë, raporton Reuters.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se kjo mund të shndërrohet në një ‘moment të dytë Anchorage’”, deklaroi kancelari gjerman.
“Prandaj dua ta përcjell shumë qartë mesazhin tonë për Shtetet e Bashkuara: ju lutem, pa surpriza. Vazhdoni të veproni si pjesë e ‘Ekipit Evropë’ dhe ‘Ekipit Ukrainë’”, theksoi ai.
Merz po kërkon gjithashtu që liderët e Bashkimit Evropian të angazhohen për mbështetjen afatgjatë të Ukrainës, në kuadër të negociatave për buxhetin e ardhshëm të BE-së.
Sipas tij, propozimi ka marrë mbështetje të gjerë, megjithëse arritja e një marrëveshjeje mbetet ende larg.
Kancelari gjerman bëri të ditur se, pas takimeve të zhvilluara këtë javë ndërmjet përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Abu Dhabi, negociatat përmbajtësore të paqes pritet të fillojnë gjatë javëve të ardhshme, për herë të parë edhe me pjesëmarrjen e evropianëve.
Ai hodhi poshtë kërkesat e Rusisë që arkitektura e sigurisë evropiane të vendoset në qendër të negociatave, duke argumentuar se një strukturë e tillë tashmë ekziston përmes NATO-s.
“Diskutimet e ardhshme duhet të përqendrohen në një pyetje thelbësore: në çfarë kuadri mund të garantohet siguria e Ukrainës pasi të arrihet paqja? Por, së pari, duhet ta arrijmë atë paqe”, përfundoi Merz. /Telegrafi/





