Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar sërish për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke e cilësuar rastin si dështim të shtetit të Kosovës dhe të hierarkisë së tij institucionale.

Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se kjo ngjarje përbën një plagë të rëndë për shoqërinë, duke theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për mosveprimin e mundshëm, transmeton Klankosova.tv.
“Vrasja e Arlinda Zekajt ka të bëjë me dështim të shtetit të Kosovës dhe të hierarkisë së tij institucionale”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka përmendur Prokurorinë, Policinë, Qendrat për Punë Sociale dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës, duke kërkuar që të mbahet përgjegjësi kur mosveprimi institucional çon drejt tragjedive të tilla.
Tahiri ka theksuar se lufta kundër dhunës në familje duhet të vazhdojë, duke bërë thirrje për kërkim të përgjegjësisë dhe veprim të vendosur për të parandaluar raste të ngjashme.
“Betejën kundër dhunës në familje nuk duhet ta ndalim. Duhet të flasim, të kërkojmë përgjegjësi dhe të ecim përpara me vendosmëri”, ka deklaruar Tahiri.




