Kryesuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas miratimit të një propozimi në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke akuzuar kryetarin Përparim Rama se po mashtron qytetarët lidhur me projektin në fjalë.

Përmes një reagimi publik, Sveçla ka bërë të ditur se propozimi ka kaluar në Kuvendin Komunal me mbështetjen e asamblistëve të partive në pushtet, ndërsa sipas tij, kundër tij ka votuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka pretenduar se projekti nuk ka të bëjë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, por se, sipas tij, është në interes të kryetarit Rama dhe njerëzve të afërt me të.
“Siç e kemi thënë edhe në seancë, sot u dëshmua që ky projekt s’ka të bëjë me Lojërat Mesdhetare. Ky është projekt për Përparimin dhe miqtë e tij”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se reagimet e qytetarëve dhe opinionit publik po japin efekt, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar për të kundërshtuar, siç e ka cilësuar ai, keqmenaxhimin e kryeqytetit.
Sveçla ka përfunduar reagimin e tij duke thënë se vetëm qytetarët mund ta ndalin atë që ai e quan shkatërrim të Prishtinës. /Telegrafi/




