Supreme zgjidhi 498 lëndë në tremujorin e tretë, 608 mbetën të papërfunduara

Supreme zgjidhi 498 lëndë në tremujorin e tretë, 608 mbetën të papërfunduara

Supreme zgjidhi 498 lëndë në tremujorin e tretë, 608 mbetën të papërfunduara

Gjykata Supreme e Kosovës ka pasur në punë gjithsej 1 mijë e 106 lëndë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, prej të cilave 498 janë zgjidhur, ndërsa 608 kanë mbetur të papërfunduara.

Sipas raportimit të prezantuar para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), gjatë periudhës korrik-shtator, efikasiteti i punës së Gjykatës Supreme ka arritur në 89.57 për qind.

Sponsor 3M Express

Raportin për aktivitetet e kësaj gjykate e ka prezantuar një gjyqtar, në mungesë të kryetarit të Gjykatës Supreme. Ai ka bërë të ditur se nga 1 mijë e 106 lëndët që ishin në punë, 556 janë pranuar gjatë tremujorit raportues, ndërsa 550 janë bartur nga periudha paraprake.

“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, kemi pasur në punë gjithsej 1.106 lëndë, prej të cilave 556 lëndë janë të pranuara gjatë kësaj periudhe raportuese, kurse 550 janë të bartura nga periudha paraprake. Janë zgjidhur 498 lëndë, ndërsa 608 lëndë kanë mbetur të pakryera gjatë kësaj periudhe raportuese. Efikasiteti i Gjykatës Supreme, i shprehur në përqindje, është 89.57 për qind”, ka deklaruar gjyqtari.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe puna e institucionit është përqendruar në zgjidhjen e lëndëve, rritjen e efikasitetit dhe unifikimin e praktikës gjyqësore.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, gjykata u përqendrua në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore, në fokus të zgjidhjes së lëndëve, rritjen e efikasitetit dhe unifikimin e praktikës gjyqësore. Këto janë tri-katër shtylla që përbëjnë bazamentin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sipas Ligjit për Gjykatat”, ka thënë ai.

Sa i përket lëndëve të zgjidhura, numrin më të madh e përbëjnë kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kërkesat për rishikim.

Sipas të dhënave të prezantuara, Gjykata Supreme ka zgjidhur 209 kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, 155 kërkesa për rishikim, 39 rishikime administrative dhe 18 kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit.

Po ashtu, janë zgjidhur 17 kërkesa për rigjykim të jashtëzakonshëm administrativ, 13 rishikime ekonomike, 13 padi administrative, 10 ankesa administrative, nëntë lëndë civile të ndryshme, nëntë ankesa për paraburgim, pesë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë në lëmin civile dhe një ankesë penale në shkallën e tretë.

Gjyqtari ka raportuar edhe për aktivitetet institucionale të Gjykatës Supreme gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, përfshirë takimet me partnerë ndërkombëtarë dhe punëtoritë për avancimin e funksionimit të gjykatës.

Ai ka bërë të ditur se më 8 korrik, kryetari i Gjykatës Supreme ka marrë pjesë në lansimin e një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku është diskutuar edhe puna e kësaj gjykate dhe kompetencat e saj në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

Gjithashtu, Gjykata Supreme ka pritur një delegacion të Ambasadës së Gjermanisë, ndërsa gjatë gushtit është zhvilluar një takim me shefin e ri të Misionit të EULEX-it. Sipas raportimit, në këto takime është diskutuar mbështetja për sistemin gjyqësor dhe rëndësia e bashkëpunimit institucional për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të tij.

Një nga aktivitetet e rëndësishme të kësaj periudhe ka qenë edhe punëtoria dyditore, e mbajtur më 16 dhe 17 korrik, për shqyrtimin e draft-rregullores për organizimin, punën dhe mbajtjen e seancave të plota të Gjykatës Supreme.

Gjyqtari ka vlerësuar se ky akt normativ është i nevojshëm për funksionimin e institucionit dhe avancimin e standardeve të transparencës e efikasitetit.

“Është mbajtur një punëtori më datat 16 dhe 17 korrik të vitit 2026, për shqyrtimin e draft-rregullores për organizimin, punën dhe mbajtjen e seancave të plota të Gjykatës Supreme. Kjo është një akt normativ mjaft i nevojshëm për Gjykatën Supreme të Kosovës, meqë aty do të përcaktohen shumë aspekte të punës së Gjykatës Supreme, në kuptimin e rregullativës dhe avancimit të standardeve të transparencës, efikasitetit dhe funksionimit institucional të kësaj gjykate”, ka theksuar ai.

Gjashtë ankesa disiplinore

Gjatë tremujorit të tretë, kryetari i Gjykatës Supreme ka trajtuar gjithsej gjashtë ankesa disiplinore që kanë të bëjnë me kryetarë të gjykatave dhe gjyqtarë të Gjykatës Supreme.

Nga këto, dy ankesa janë refuzuar, ndërsa në katër raste janë hedhur poshtë kërkesat e parashtruara.

“Një pikë e shkurtër edhe për vendimet disiplinore që ka trajtuar kryetari i Gjykatës Supreme gjatë kësaj periudhe. Janë gjithsej gjashtë ankesa disiplinore, nga të cilat dy janë refuzuar dhe katër janë hedhje të kërkesave që janë parashtruar lidhur me kryetarë të gjykatave dhe gjyqtarë të Gjykatës Supreme”, është bërë e ditur gjatë prezantimit të raportit.

Publikohen 858 vendime gjyqësore

Në raport është përfshirë edhe puna e Gjykatës Supreme në fushën e transparencës dhe komunikimit me publikun.

Gjatë periudhës korrik-shtator, Zyra për Informim dhe Komunikim me Media ka publikuar gjithsej 858 vendime gjyqësore. Prej tyre, 510 janë vendime të Gjykatës Supreme, ndërsa 342 janë nga Dhoma e Posaçme. Po ashtu, janë publikuar tetë komunikata për media dhe 18 postime në rrjetet sociale.

“Një rëndësi të pashmangshme Gjykata Supreme i jep transparencës dhe komunikimit me publikun. Për këtë arsye, Zyra për Informim dhe Komunikim me Media, që funksionon në kuadër të Gjykatës Supreme, ka publikuar 858 gjykime, prej të cilave 510 nga Gjykata Supreme dhe 342 nga Dhoma e Posaçme, tetë komunikata dhe 18 postime në rrjete sociale. Numri i përgjithshëm i vendimeve të publikuara nga Gjykata Supreme tani ka arritur në 21.725 vendime gjyqësore”, ka deklaruar gjyqtari.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë pranuar 62 kërkesa për qasje në dokumente dhe informacione zyrtare, prej të cilave dy janë refuzuar. Gjithashtu, është publikuar orari i 13 seancave të Gjykatës Supreme./EO

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Hoti: Kurti mashtron veten dhe botën me deklaratat për uljen e pabarazisë në paga

Hoti: Kurti mashtron veten dhe botën me deklaratat për uljen e pabarazisë në paga

500 euro gjobë, pikë negative, konfiskim veture e ndalim vozitje- Policia ndëshkon tre shoferë

500 euro gjobë, pikë negative, konfiskim veture e ndalim vozitje- Policia ndëshkon tre shoferë

Kosova U17 dhe U19 përballen sot me Belgjikën në kualifikimet për Evropian

Kosova U17 dhe U19 përballen sot me Belgjikën në kualifikimet për Evropian