Java e 11-të e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot (e shtunë) me dy ndeshje interesante. Vushtrria përballet me Ballkanin, ndërsa Drenica e pret lideren e kampionatit, Malishevën, në një duel ku pikët kanë rëndësi për të dyja skuadrat.

Albi Mall Superliga e Kosovës sjell sot dy përballje që mund të ndikojnë në renditjen tabelare, me Vushtrrinë dhe Drenicën që synojnë të marrin pikë të rëndësishme, përballë dy kundërshtarëve me objektiva të ndryshëm.
Ndeshja e parë e ditës zhvillohet nga ora 14:00, ku Vushtrria e pret Ballkanin, me mysafirët që shihen favorit shkaku i problemeve financiare dhe bojkotit nga lojtarët e vendasve.
Nga ora 18:00, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica e pret Malishevën, në një përballje ku vendasit do të kërkojnë t’ia vështirësojnë punën skuadrës që po udhëheq kampionatin.
Skuadra nga Skenderaj synon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas për të marrë pikë ndaj një kundërshtari që ka treguar formë të mirë këtë sezon. Megjithatë, detyra nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Malisheva po kalon një sezon të shkëlqyer. Me 23 pikë nga dhjetë ndeshje, ajo kryeson tabelën, me pikë të barabarta me Prishtinën, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar se kryeqytetasit.
Java e 11-të vazhdon të dielën me dy ndeshjet e tjera: Feronikeli ’74-Dukagjini dhe Prishtina-Drita. /Telegrafi/




