Një sistem i paklasifikuar i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) është komprometuar në një sulm kibernetik, ka raportuar Associated Press (AP), duke cituar një burim të njohur me incidentin.

Sipas këtij burimi, i cili ka folur në kushte anonimiteti, sulmi nuk ka prekur informacione të klasifikuara dhe problemi tashmë është zgjidhur.
Sistemi i prekur përdorej për inteligjencën nga burimet e hapura, e cila përfshin mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të disponueshme publikisht, përfshirë informacionet në internet, imazhet nga satelitët komercialë dhe të dhënat e siguruara nga kompani private.
Edhe pse këto informacione janë kryesisht publike ose gjysmëpublike, ato mund t’u ofrojnë analistëve të inteligjencës të dhëna të rëndësishme, sidomos kur kombinohen me informacione të siguruara përmes operacioneve sekrete, transmeton klankosova.tv.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se cilat të dhëna konkrete janë komprometuar dhe kush qëndron prapa sulmit. Incidenti u raportua fillimisht të martën nga gazeta “The New York Times”.
Ngjarja vjen në një kohë kur disa institucione dhe kompani të rëndësishme në SHBA janë përballur me probleme serioze në sistemet e tyre. Javën e kaluar, një rrjet i brendshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që përdoret për komunikimin e informacioneve të klasifikuara, ishte jashtë funksionit për një periudhë kohore.
Ndërkohë, FBI-ja po heton një ndërhyrje të dyshuar në një bazë kombëtare të të dhënave të zbatimit të ligjit, të cilën e administron vetë agjencia.
Probleme janë raportuar edhe në trafikun ajror, ku një ndërprerje në shkallë kombëtare shkaktoi kaos në udhëtimet ajrore, pasi kontrollorët e trafikut ajror patën vështirësi në komunikimin me pilotët.
Gjithashtu, gjatë këtij muaji, ndërprerje të sistemeve janë raportuar edhe te kompanitë Apple, JPMorgan Chase dhe Microsoft.
Këto incidente kanë rikthyer vëmendjen te cenueshmëria e infrastrukturës kritike, sistemeve bankare dhe platformave digjitale që përdoren çdo ditë nga miliona qytetarë.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka mohuar se këto ndërprerje janë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik.
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, ka deklaruar se shumica e problemeve lidhen me përpjekjet për përditësimin dhe forcimin e sistemeve, në mënyrë që ato të mbrohen nga sulmet e hakerëve, të cilët tashmë po përdorin mjete gjithnjë e më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Sipas tij, këto teknologji u mundësojnë sulmuesve të kryejnë sulme në shkallë të paprecedentë.





