Shtatë persona janë vrarë në Ukrainë nga sulmet ruse gjatë natës, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer goditje pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës.

Sulmet ndodhën pak kohë pasi i dërguari amerikan, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, për bisedime lidhur me përfundimin e konfliktit.
Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, sulmet plagosën 15 persona, tetë prej të cilëve u dërguan në spital, njoftoi kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko. Ai tha gjithashtu se infrastruktura e metrosë pranë urës Pivdenny ishte dëmtuar, duke sjellë kufizime të qarkullimit mes disa pjesëve të qytetit.
Forcat ajrore ukrainase kishin lëshuar paralajmërime gjatë orëve të para të mëngjesit për raketa balistike që po drejtoheshin drejt Kievit, si dhe për aktivitet të avionëve luftarakë. Banorëve iu kërkua të qëndronin në strehimore.
Të enjten në mëngjes, ushtria ukrainase njoftoi se gjatë natës kishte rrëzuar 181 dronë rusë, por paralajmëroi se disa dronë sulmues vazhdonin të ishin në ajër, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, në Rusi, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se dy persona ishin plagosur gjatë valëve të sulmeve me dronë, shumica e të cilëve u interceptuan. Sipas tij, drejt rajonit të Moskës ishin nisur gjithsej 630 dronë, 163 prej tyre në drejtim të kryeqytetit.
Pas takimit mes Putinit dhe Witkoffit, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se të dyja palët ishin “më afër se kurrë” arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës. Megjithatë, nga bisedimet nuk u njoftua ndonjë përparim konkret.
Kremlini tha se, në parim, ishte i gatshëm të rifillonte negociatat trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Bisedimet mund të zhvillohen në mesin e nëntorit, pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Edhe Ukraina ka mbështetur rifillimin e negociatave. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi dëshiron që takimi të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkaq, Witkoff i cilësoi bisedimet me Putinin si “konstruktive”, por pranoi se mbetet ende “punë e rëndësishme” për t’u bërë.
Pas takimit, Rusia ra dakord të lirojë shtetasin amerikan Stephen Hubbard, një mësues në pension, i cili ishte dënuar nga autoritetet ruse për pjesëmarrje si mercenar në luftimet në anën e Ukrainës. Hubbard i ka mohuar këto akuza.
Trump ka shtyrë vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë, duke thënë se ky vendim kishte ndihmuar në sigurimin e lirimit të Hubbardit.
Presidenti amerikan ka arritur gjithashtu një marrëveshje të re me Rusinë për shitjen e naftës dizel, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve, të cilat janë rritur për shkak të konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo marrëveshje ka nxitur kritika nga Kievi dhe disa qeveri evropiane. /Telegrafi/




