Sulmet ukrainase ndaj urës strategjike që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë po shtojnë presionin mbi rrjetin e furnizimeve ushtarake të Moskës, duke vështirësuar transportin e pajisjeve dhe furnizimeve drejt fronteve në jug dhe lindje të Ukrainës.

Dëmtimi i pjesshëm i kësaj ure, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të Rusisë, është pjesë e një fushate disa mujore të Kievit për të ndërprerë linjat e furnizimit të forcave ruse në territoret e pushtuara dhe në gadishullin e Krimesë, transmeton klankosova.tv.
Sipas dy analistëve dhe dy komandantëve ukrainas, sulmet e kësaj jave, ndonëse nuk përbëjnë ndryshim vendimtar në rrjedhën e luftës, po shtojnë presionin mbi një rrjet logjistik rus që tashmë po përballet me vështirësi.
Sipas Reuters, goditja ndaj urës ka pasur edhe ndikim të madh simbolik, veçanërisht në prag të takimit të pazakontë trepalësh mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.
John Helin, studiues i ftuar në Këshillin Atlantik, tha se sulmet dëshmojnë aftësinë e Ukrainës për të goditur infrastrukturën logjistike ruse në Detin Azov dhe në pjesët juglindore të pushtuara të Ukrainës, në një kohë kur përparimi i forcave ruse në fushëbetejë po ngadalësohet ndjeshëm.
“Çështja më e rëndësishme nuk është domosdoshmërisht shkatërrimi i vetë urës së Krimesë, por presioni gjithnjë e më i madh që Ukraina po ushtron ndaj të gjithë sistemit logjistik të Rusisë”, deklaroi Helin.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se ura përdoret ekskluzivisht për qëllime civile dhe paralajmëroi kundërpërgjigje të ashpër ndaj sulmeve.
Të premten, zyrtarët e qytetit të Kievit njoftuan se një sulm rus me raketa balistike gjatë natës kishte dëmtuar tri ura mbi lumin Dnipro në kryeqytetin ukrainas.





