Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ngriti dyshime të hënën nëse do të vazhdonte me kërcënimin për rifillimin e sulmeve ushtarake kundër Iranit dhe tha se një marrëveshje me Teheranin mund të arrihet.

Trump javët e fundit kishte lënë të kuptohej për ripërtëritje të sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA të martën. Por, pas një fjalimi në Washington Reflecting Pool të hënën, ai la të kuptohej se mund të jetë duke menduar ndryshe.
I pyetur nga gazetarët nëse po shqyrtonte mundësinë e sulmit ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, Trump u përgjigj “jo”.
Lufta e Iranit është një shkak kryesor i çmimeve të larta të benzinës që po rëndojnë mbi votuesit dhe Trump është nën presion për t’i dhënë fund konfliktit.
Negociatorët iranianë ishin në Doha të dielën për ditën e tretë radhazi të bisedimeve me ndërmjetësuesit e Katarit që synojnë të shtyjnë përpara një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Trump tha të hënën se besonte se Irani donte të arrinte një marrëveshje dhe se një marrëveshje e tillë “mund të ndodhte”.
Zëvendëspresidenti JD Vance raportoi se kishte pasur “një numër bisedash të mira me iranianët”.
“Shikoni, unë dhe presidenti ndihemi mjaft mirë në lidhje me perspektivat për të arritur potencialisht një zgjidhje të negociuar. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha ai.
Trump theksoi kërkesën e tij kryesore që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.
“Ne nuk do ta lejojmë kurrë Iranin të ketë një armë bërthamore dhe ata e kuptojnë këtë. Ata e kanë kuptuar këtë dhe e kanë thënë edhe kohët e fundit”, tha Trump.
“Nëse do ta lejonim Iranin të kishte një armë bërthamore, ky vend nuk do të funksiononte kurrë në të njëjtën mënyrë. E gjithë bota do të ishte një vend tjetër”, tha ai.
Ai këmbënguli se operacioni nuk ishte në të vërtetë një luftë sepse “kemi bërë shumë pak luftime” kohët e fundit pas sulmeve gjithëpërfshirëse muaj më parë, në të cilat u vranë disa udhëheqës iranianë.
“Ne i zhdukëm udhëheqësit e tyre – udhëheqësit e nivelit të parë, udhëheqësit e nivelit të dytë, dhe ata na kanë kërkuar, ju lutemi ndaloni së bëri këtë, dhe ne do ta bëjmë.”
Trump foli për Iranin në një fjalim që u cilësua si argumenti i tij përfundimtar për votuesit përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA të martën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




