Stuhia Boelo ka goditur Britaninë me erëra që kanë arritur shpejtësinë deri në 85 milje në orë (rreth 137 km/h), ndërsa një burrë ka humbur jetën pasi është goditur nga një pemë që është rrëzuar, mes përmbytjeve “shkatërruese” dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, erërat arritën shpejtësi prej 60-70 miljesh në orë (rreth 95-110 km/h) në zonën për të cilën ishte lëshuar paralajmërim – përfshirë Skocinë, pjesë të Irlandës Veriore dhe skajin verior të Anglisë.
Sipas Shërbimit Meteorologjik (Met Office), në zonat bregdetare të ekspozuara, erërat kanë arritur shpejtësi mbi 80 milje në orë (rreth 128 km/h).
Ndërkohë, disa pjesë të Skocisë janë përmbytur, ndërsa janë lëshuar paralajmërime për “rrezik për jetën”.
Gjithashtu, disa linja hekurudhore janë detyruar të mbyllen për shkak të dëmeve të shkaktuara nga stuhia; në stacionin hekurudhor Dalmarnock, shinat janë mbuluar plotësisht nga uji, i cili ka arritur pothuajse deri te platforma.
Një burrë 60-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga një pemë që është rrëzuar në Dumfries, Skoci, pak pas orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.
Qyteti Largs, në Ayrshire, është përmbytur plotësisht; pamjet tregojnë një rrymë të fuqishme uji që vërshon nëpër qytet.
Pronarja e një dyqani në këtë qytet është përlotur pasi biznesi i saj është shkatërruar nga përmbytjet, duke e detyruar atë të hedhë mallin që kishte në dyqan.
E Toni Dawson, e cila drejton dyqanin e akulloreve dhe dhuratave “Geraldo’s”, tha për Sky News: “Brenda gjysmë ore, uji u ngrit me shpejtësi të madhe dhe rruga kryesore u përmbyt”.
Ndërkohë, sipas Shoqatës së Rrjeteve të Energjisë (Energy Networks Association), rreth 83,000 familje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar kanë mbetur pa energji elektrike. /Telegrafi/




