Steroidet, trajnerët e shumtë të fitnesit dhe dallimet mes Kosovës dhe Finlandës në ushtrime, trajneri Shkëlzen Bucolli flet nga shteti skandinav

Steroidet, trajnerët e shumtë të fitnesit dhe dallimet mes Kosovës dhe Finlandës në ushtrime, trajneri Shkëlzen Bucolli flet nga shteti skandinav

Steroidet, trajnerët e shumtë të fitnesit dhe dallimet mes Kosovës dhe Finlandës në ushtrime, trajneri Shkëlzen Bucolli flet nga shteti skandinav

Shkelzen Bucolli jeton prej 21 vitesh në Finlandë dhe ka pothuajse një jetë të tërë që merret me sport, nga karateja dhe boksi deri te fitnesi.

Sponsor 3M Express

Me rrip të zi në karate, rreth 20 vjet përvojë në stërvitje dhe përgatitje profesionale në këtë fushë, ai sjell një këndvështrim të veçantë mbi kulturën e fitnesit, dallimet mes Kosovës dhe Finlandës dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët që ushtrojnë në palestër.

Në një intervistë për Telegrafin, trajneri, i njohur në rrjetet sociale si Xen Bucolli, flet për edhe keqinformimin rreth steroideve dhe pritshmëritë jorealiste për rezultate të shpejta, veçanërisht te të rinjtë që ndikohen nga fiziku i personave në rrjetet sociale.

Ai thekson se shumë prej tyre mendojnë për përdorimin e substancave për rritjen e masës muskulore pa i zotëruar ende bazat e stërvitjes, ushqimit dhe gjumit, duke rrezikuar shëndetin për një rezultat që synojnë ta arrijnë brenda një kohe të shkurtër.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Shkelzen Bucolli ndan përvojën e tij shumëvjeçare dhe mesazhin për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një stil jetese më të shëndetshëm, pa rënë pre e premtimeve për transformime të shpejta dhe rrugëve të shkurtra drejt rezultateve.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Shkelzen, fillimisht, na trego pak për veten tënde. Sa vite ke që jeton në Finlandë dhe sa vite merresh me sport dhe fitnes?

Shkelzen Bucolli: Në Finlandë jetoj qe 21 vjet, kurse me sport merrem pothuajse gjatë gjithë jetës. Kam ushtruar lloje të ndryshme sportesh, nga karateja dhe boksi deri te fitnesi. E kam rripin e zi në karate dhe rreth 20 vjet përvojë në stërvitje. Në vitin 2013 e kam përfunduar shkollën në FAF Fitnes Academy, kështu që, përveç përvojës praktike, kam edhe përgatitje profesionale në këtë fushë.

Tani jam duke punuar edhe në një faqe timen, ku njerëzit do të kenë qasje në programe të ushtrimeve, ushqimit, suplementeve dhe këshillave të tjera që lidhen me fitnesin. Për mua, fitnesi është baza e çdo sporti, sepse të ndihmon si fizikisht, ashtu edhe psikikisht. Me kalimin e viteve e kupton se nuk ushtron vetëm për të pasur trup të mirë, por edhe për të pasur shëndet dhe për ta përballuar jetën më lehtë.

Telegrafi: Bazuar në përvojën tënde në këtë sport dhe jetesën jashtë Kosovës, sa mendon se janë të informuar shqiptarët në diasporë për fitnesin dhe sa prej tyre ushtrojnë rregullisht në palestër?

Shkelzen Bucolli: Mendoj se shqiptarët në diasporë kanë më shumë mundësi për t’u informuar, por kjo nuk do të thotë se të gjithë dinë t’i përdorin ato informacione. Sot të gjithë kanë TikTok-un, YouTube-in dhe Google-in, por prapë sheh njerëz që e ndërrojnë programin çdo javë vetëm pse kanë parë një ushtrim të ri në internet.

Problemi më i madh është se të gjithë duan rezultate të shpejta. Trupin e kanë ndërtuar me vite pa aktivitet dhe me ushqim jo të mirë, e tash duan ta rregullojnë për dy muaj, para verës. Fitnesi nuk funksionon kështu. Duhet durim, disiplinë dhe vazhdimësi.

Edhe një gjë është me rëndësi: nuk mjafton vetëm të dëgjosh dikë që thotë: “Kjo bën” ose “Kjo nuk bën”. Duhet të kesh edhe praktikë, të provosh, të shohësh se si reagon trupi yt dhe të mësosh nga përvoja. Jo çdo gjë që i funksionon një personi do t’i funksionojë edhe tjetrit.

Telegrafi: Cilat janë dallimet mes mënyrës së ushtrimit në Kosovë dhe në Evropë? Çfarë bëhet gabim ose çfarë çalon në Kosovë sa i përket fitnesit?
Shkelzen Bucolli: Dallimi që më bie më së shumti në sy është kultura e palestrës. Në Finlandë, kur e përfundon ushtrimin, i kthen peshat në vend dhe e pastron pajisjen që e ke përdorur. Secili e kryen punën e vet.

Në Kosovë, nganjëherë duhet të lëshosh një zagar që të t’i gjejë dy pesha të njëjta. Njërën e gjen te banka, tjetrën te shufra, e nganjëherë as njërën, as tjetrën. Pa folur për peshat që dikush i lë në shufër, sikur të ketë ndërmend të vijë nesër për t’i marrë përsëri!

Por, shakatë anash, kjo është çështje respekti. Palestra nuk është shtëpia jote. Edhe kur ushtron, shumë njerëz fokusohen vetëm te kilogramët që ngrenë dhe jo te fakti nëse po e bëjnë ushtrimin siç duhet. Më mirë ta bësh një ushtrim me teknikë të mirë sesa ta rrezikosh shpinën vetëm për t’i impresionuar dy veta që as nuk po të shikojnë.

Telegrafi: Shpesh dëgjojmë se pothuajse çdo i dyti po bëhet trajner fitnesi. Çfarë mendon ti për këtë? A ka nevojë Kosova për më shumë trajnerë fitnesi apo kemi arritur në një pikë ku numri i tyre është i madh, por jo të gjithë janë mjaftueshëm të kualifikuar për ta ushtruar këtë profesion?

Shkelzen Bucolli: Sot, vetëm pse dikush ka muskuj, nuk do të thotë se di të jetë trajner. Të ushtrosh për vete dhe të dish t’ia mësosh dikujt tjetër ushtrimet janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Trajneri duhet ta njohë anatominë, teknikën, programimin e ushtrimeve dhe bazat e ushqimit. Duhet të dijë edhe kur ta shtyjë klientin të japë më shumë nga vetja dhe kur t’i thotë të ndalet, sepse shëndeti i njeriut është përgjegjësi e madhe.

Sipas meje, Kosovës nuk i duhen patjetër më shumë trajnerë, por më shumë trajnerë të përgatitur mirë. Nuk mjafton të kesh trup të mirë, të bësh disa fotografi para pasqyrës dhe të mendosh se je ekspert. Muskujt nuk ta japin diplomën, e Instagrami nuk ta zëvendëson dijen.

Telegrafi: Për cilat aspekte të fitnesit janë më pak të informuar shqiptarët? Në këtë kontekst, sa i përhapur është përdorimi i steroideve në mesin e personave që ushtrojnë në palestër dhe sa preferohen ato?

Shkelzen Bucolli: Gabimi më i madh është se shumë djem, sapo hyjnë në palestër, fillojnë të mendojnë për steroidet. Ende nuk e kanë mësuar si të ushtrojnë, si të ushqehen dhe si të flenë mirë, por duan të fryhen sa më shpejt.

Unë personalisht kam ushtruar natyrshëm për 10 vjet. Mendoj se fillimisht duhet t’ia nxjerrësh maksimumin trupit natyral, me ushqim të mirë, stërvitje serioze, gjumë të mirë dhe disiplinë. Duhet ta shohësh se ku mund të arrish me punën tënde para se të mendosh për rrugë të tjera.

Nëse dikush, pas shumë vitesh përvojë, vendos të garojë në nivel profesional dhe të hyjë në një kategori ku kërkohet një fizik tjetër, ajo është temë tjetër. Por duhet ta dijë se çfarë po bën, çfarë rreziqesh ka dhe të jetë nën mbikëqyrje mjekësore. As mjeku nuk mund t’i eliminojë të gjitha rreziqet.

Duhet ta pranojmë edhe një realitet: nëse i ndërpret steroidet, trupi nuk do të mbetet domosdoshmërisht në gjendjen që ishte gjatë përdorimit të tyre. Shumë njerëz humbasin një pjesë të masës muskulore të fituar, ndërsa ndryshimet varen nga shumë faktorë. Nëse para përdorimit nuk ke pasur bazat e duhura në ushqim, gjumë dhe stërvitje, mund të përfundosh edhe në një gjendje më të keqe se më parë.

Këtu qëndron problemi. Para se të mendosh për çfarëdo rruge tjetër, duhet ta çosh trupin natyral në maksimumin që mundesh. Steroidet nuk janë zëvendësim për ushqimin e mirë, gjumin e mirë, stërvitjen dhe disiplinën. Përkundrazi, nëse nuk i ke këto baza, vetëm sa e rrit rrezikun dhe e ndërlikon situatën.

Problemi lind kur një djalë 18-vjeçar sheh dikë në Instagram me një trup ekstrem dhe mendon se ai është bërë ashtu duke ushtruar tri herë në javë dhe duke përdorur një proteinë. Pas gjashtë muajsh, kur nuk e sheh veten në atë gjendje, thotë: “Natyrshëm nuk bëhet!” O vëlla, ti ende nuk e ke kaluar as fazën fillestare!

Edhe për testosteronin duhet të kemi pak më shumë njohuri. Stërvitja e rregullt, gjumi dhe ushqimi i mirë ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit hormonal. Aktiviteti fizik e mbështet edhe shëndetin seksual, por nuk do të thotë se sa herë hyn në palestër, testosteroni rritet pa kufi.

Kur ushqehesh më mirë, fle më mirë, je më aktiv dhe ke shëndet më të mirë, zakonisht përmirësohen edhe energjia, edhe performanca seksuale. Përfitimet e fitnesit janë shumë më të mëdha se kaq.

Telegrafi: Po sa i përket proteinave dhe suplementeve të tjera, besoj se ke pasur mundësi t’i provosh si në Kosovë, ashtu edhe në Finlandë. Çfarë dallimesh ke vërejtur në shije dhe cilësi?

Shkelzen Bucolli: Kam provuar produkte në të dyja vendet, por nuk do të thosha se të gjitha produktet në Finlandë janë më të mira se ato në Kosovë. Varet nga prodhuesi, përbërja dhe cilësia e produktit. Dallime mund të vëresh te shija, tretshmëria dhe çmimi.

Për mua, më e rëndësishme është të dish se çfarë po blen dhe nëse produkti është i besueshëm, sesa të shohësh vetëm paketimin e bukur. Proteina nuk është magji. Është thjesht një mënyrë praktike për t’i marrë proteinat që të nevojiten. Nëse ushqehesh mirë dhe i plotëson nevojat për proteina përmes ushqimit, nuk është e domosdoshme të blesh çdo suplement që del në treg.

Kreatina, për mua, është një nga suplementet më të mira. Është e thjeshtë, e studiuar mirë dhe mund të ndihmojë në rritjen e forcës dhe përmirësimin e performancës fizike. Mund të jetë e dobishme për personat që ushtrojnë rregullisht, por prapë nuk është zëvendësim për stërvitjen, ushqimin dhe gjumin. Suplementi ta ndihmon punën, por punën kryesore duhet ta bësh ti.

Telegrafi: Për çfarë ankohen më së shumti shqiptarët në palestër? A janë mungesa e kohës dhe motivimit, lëndimet apo diçka tjetër?

Shkelzen Bucolli: Më së shumti ankohen për mungesë kohe, motivimi dhe për faktin se rezultatet nuk po vijnë aq shpejt sa duan. Por nganjëherë problemi nuk është se nuk kanë kohë, por se nuk janë organizuar mirë dhe presin rezultate joreale.

Në fillim të shtyn motivimi, por pas një kohe të mban disiplina. Ka ditë kur je i lodhur nga puna, ke probleme dhe nuk ke fare dëshirë të shkosh në palestër. Por pikërisht aty shihet dallimi mes dikujt që ushtron vetëm kur ka motivim dhe dikujt që e ka bërë fitnesin pjesë të jetës.

Pas një kohe, nuk e pyet më veten nëse do të shkosh apo jo. E di se duhet të shkosh, njësoj siç e di se duhet të shkosh në punë. E bën për vete, për shëndetin tënd dhe për të ardhmen tënde.

Unë dua që kur të plakem, të mund të ngrihem vetë, të eci mirë dhe t’i marr nipat në krahë, jo të pres që ata të më marrin mua në krahë!

Telegrafi: Cilat janë dallimet mes Kosovës dhe Finlandës në aspektin financiar? Sa kushton anëtarësimi në palestër në Kosovë dhe sa në Finlandë? Po suplementet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me fitnesin?

Shkelzen Bucolli: Në përgjithësi, Finlanda është më e shtrenjtë për të jetuar dhe kjo vërehet te palestrat, ushqimi dhe suplementet. Në Kosovë mund të gjesh palestra më të lira, por çmimi varet nga qyteti dhe niveli i palestrës.

Duhet t’i llogaritësh edhe shpenzimet për ushqimin, suplementet, pajisjet dhe gjërat e tjera. Por nuk është e nevojshme t’i blesh produktet më të shtrenjta për të pasur rezultate.

Unë gjithmonë e them: më mirë të paguash për një palestër të thjeshtë dhe të shkosh rregullisht, sesa të paguash për një palestër luksoze dhe të shkosh dy herë në muaj. Muskujt nuk e dinë sa e ke paguar anëtarësimin. Ata e dinë sa punë ke bërë!

Telegrafi: Për fund, çfarë mesazhi do t’u përcillje shqiptarëve? Cilat janë dallimet kryesore kulturore në qasjen ndaj sportit dhe fitnesit mes shqiptarëve dhe evropianëve?

Shkelzen Bucolli: Mesazhi im është i thjeshtë: ushtroni për shëndetin, jo vetëm për pasqyrën. Trupi i mirë është bonus, por shëndeti është kryesori. Mos u ngutni duke kërkuar rrugë të shkurtra. Fillimisht mësoni të ushtroni siç duhet, të ushqeheni mirë, të flini mjaftueshëm dhe të jeni të rregullt.

Provoni, shikoni se si reagon trupi dhe mos u bazoni vetëm në fjalët e dikujt që thotë “nuk bën”, pa pasur kurrë përvojë praktike. Në fitnes, teoria është e rëndësishme, por praktika të mëson shumë.

Fitnesi të ndihmon jo vetëm të bëhesh më i fortë fizikisht, por edhe më i fortë psikikisht. Të mëson disiplinën, durimin dhe mënyrën se si t’i përballosh sfidat. Kur e krijon këtë rutinë, fillon ta menaxhosh më mirë punën, familjen dhe jetën në përgjithësi.

Sa u përket dallimeve mes shqiptarëve dhe finlandezëve, nuk është se një popull është më i mirë se tjetri. Por mendoj se në Finlandë është më e përhapur kultura e respektimit të hapësirës së përbashkët. I përdor pajisjet, i pastron dhe i kthen peshat në vend. Në Kosovë duhet ende të punojmë në këtë drejtim.

Përmes faqes sime dua t’ua lehtësoj njerëzve qasjen në programe të ushtrimeve, ushqimit dhe suplementeve, në mënyrë që të mos kalojnë vazhdimisht nga një këshillë te tjetra. Qëllimi është të kenë informacione më të qarta, më praktike dhe të përshtatshme për secilin person.

Mos shkoni në palestër vetëm për t’u dukur të fortë. Shkoni për t’u bërë të fortë, për të pasur shëndet dhe për ta shijuar jetën edhe kur të plakeni. Sepse, në fund, nuk ka rëndësi kush e ka fotografinë më të mirë para pasqyrës. Me rëndësi është kush ka shëndet, disiplinë dhe vazhdon të punojë për veten edhe kur nuk e sheh askush./Telegrafi/

Lexo edhe

Ibishi: Ky është viti më i rëndë për vrasjet e grave në gjashtë vjetët e fundit

Ibishi: Ky është viti më i rëndë për vrasjet e grave në gjashtë vjetët e fundit

Gashi: Gratë s’kanë siguri as në strehimore, ka raste që dhunuesit depërtojnë edhe aty (VIDEO)

Gashi: Gratë s’kanë siguri as në strehimore, ka raste që dhunuesit depërtojnë edhe aty (VIDEO)

Antoneta pas hyrjes në BBVK5: Mendoni sikur ne do të jemi finalistët e fundit

Antoneta pas hyrjes në BBVK5: Mendoni sikur ne do të jemi finalistët e fundit

Steroidet, trajnerët e shumtë të fitnesit dhe dallimet mes Kosovës dhe Finlandës në ushtrime, trajneri Shkëlzen Bucolli flet nga shteti skandinav | Momenti