Sterilizimi i të miturave mes ligjit dhe jurisprudencës fetare

Sterilizimi i të miturave mes ligjit dhe jurisprudencës fetare

Sterilizimi i të miturave mes ligjit dhe jurisprudencës fetare

Kur një vajzë nën moshën 18-vjeçare nuk mund të martohet pa lejen e gjykatës, si mund të parashihet me ligj që ajo të sterilizohet dhe të humbasë mundësinë për t’u bërë nënë?

Sponsor 3M Express

Autor: Zyhdi Hajzeri – Jurist dhe Imam

Një projektligj që prek shëndetin riprodhues, familjen dhe mundësinë për të pasur fëmijë nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme administrative. Ai lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe dinjitetin e njeriut, me të ardhmen e familjes dhe me të drejtat që një person i bart gjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor kërkon shqyrtim serioz juridik, mjekësor dhe shoqëror. Nuk mjafton të diskutohet vetëm si një rregullim i shërbimeve shëndetësore. Duhet të shihet edhe nëse zgjidhjet që propozon janë në përputhje me Kushtetutën dhe me të drejtat themelore të njeriut.

Kundërshtimi im nuk ka të bëjë me informimin për shëndetin riprodhues dhe as me kujdesin shëndetësor për gratë. Përkundrazi, shteti ka detyrim të kujdeset për shëndetin e gruas, nënës dhe fëmijës. Shqetësimi lind kur sterilizimi përfshihet në të njëjtën kategori me metodat e zakonshme të planifikimit familjar. Kjo nuk është një ndërhyrje e zakonshme, sepse mund të sjellë humbjen e përhershme të aftësisë për të pasur fëmijë. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme kur projektligji e parashikon një mundësi të tillë edhe për vajzat nën moshën 18-vjeçare.

Çfarë nënkupton planifikimi familjar në këtë projektligj? Neni 8 mban titullin “Planifikimi i familjes”. Në paragrafin e parë përcaktohet e drejta e individëve dhe çifteve për informim, këshillim, edukim shëndetësor dhe zgjedhje të lirë të metodave të planifikimit familjar. Kjo pjesë është e kuptueshme dhe nuk paraqet ndonjë problem në vetvete. Çdo individ dhe çdo çift duhet të kenë mundësi të informohen, të marrin këshilla mjekësore dhe të vendosin me përgjegjësi për kohën dhe numrin e fëmijëve.

Mirëpo, në paragrafin 11 të të njëjtit nen, projektligji përcakton: “Sterilizimi artificial është metodë për planifikim familjar dhe kryhet me kërkesë individuale me shkrim dhe pas vlerësimit mjekësor.”

Pikërisht këtu qëndron problemi. Planifikimi familjar dhe sterilizimi nuk janë e njëjta gjë. Planifikimi familjar përfshin informimin, këshillimin dhe përdorimin e metodave të ndryshme për të planifikuar shtatzëninë dhe lindjen e fëmijëve. Sterilizimi, ndërkaq, është ndërhyrje mjekësore që synon të ndërpresë aftësinë riprodhuese. Në dallim nga metodat e përkohshme të kontracepsionit, ai mund të ketë pasoja të përhershme dhe t’ia pamundësojë një personi të bëhet prind në të ardhmen. Për këtë arsye, është e nevojshme të sqarohet pse projektligji e vendos sterilizimin në të njëjtën kategori me metodat e tjera të planifikimit familjar, pa e trajtuar veçmas natyrën dhe pasojat e tij.

Një tjetër çështje që kërkon vëmendje është neni 3, ku janë paraqitur përkufizimet e termave të përdorur në projektligj. Në këtë nen nuk gjendet një përkufizim i qartë i sterilizimit. Nuk sqarohet nëse bëhet fjalë për sterilizim të përhershëm, cilat metoda përfshihen, çfarë pasojash mund të ketë ndërhyrja dhe në cilat raste mund të rikthehet aftësia riprodhuese. Mungojnë edhe kufijtë dhe kushtet që duhet të plotësohen për një ndërhyrje të tillë. Kjo nuk është një mangësi e thjeshtë teknike. Kur një ligj përdor një term që lidhet drejtpërdrejt me integritetin fizik dhe të ardhmen riprodhuese të njeriut, ai duhet ta përcaktojë qartë kuptimin dhe përmbajtjen e tij. Përndryshe, krijohet pasiguri juridike dhe hapësirë për interpretime të ndryshme në zbatimin e ligjit.

Pas këtyre paqartësive, shtrohet një pyetje edhe më e rëndësishme: si mund të parashihet sterilizimi i një vajze të mitur? Pika 8 e nenit 8 është njëra nga dispozitat që kërkon shqyrtimin më të kujdesshëm. Sipas saj, vajzat nën moshën 18-vjeçare mund të sterilizohen me lejen e Komisionit për Vlerësim Mjekësor, nëse shtatzënia mund ta rrezikojë shëndetin e tyre ose nëse fëmija i ardhshëm mund të ketë pasoja shëndetësore në zhvillim. Kjo dispozitë nuk duhet të kalojë pa u analizuar me kujdes. Ajo duhet të kuptohet jo vetëm nga juristët dhe mjekët, por edhe nga qytetarët, sepse pasojat e saj mund të prekin jetën e një vajze për shumë vite.

Bëhet fjalë për një vajzë që ligji e konsideron fëmijë, ndërsa projektligji parashikon mundësinë që ajo t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje që mund t’ia kufizojë përgjithmonë aftësinë për të pasur fëmijë. Këtu lindin disa pyetje që nuk mund të lihen pa përgjigje. Kush e vlerëson rrezikun? Cilat janë kriteret mjekësore që duhet të plotësohen? A duhet të shqyrtohen më parë mundësitë e tjera të trajtimit? Dhe, mbi të gjitha, a është vërtet e domosdoshme që një vajze t’i ndërpritet aftësia riprodhuese, kur mund të ekzistojë një zgjidhje tjetër mjekësore?

Për mendimin tim, projektligji duhet ta përcaktojë shumë më qartë se në cilat rrethana mund të merret në konsideratë një ndërhyrje e tillë te një e mitur. Sterilizimi nuk duhet të lejohet si metodë e zakonshme e planifikimit familjar. Çdo përjashtim duhet të lidhet me një domosdoshmëri të vërtetë mjekësore, me rrezik serioz për jetën ose shëndetin e vajzës dhe me mungesën e alternativave të tjera më pak ndërhyrëse. Vetëm leja e Komisionit për Vlerësim Mjekësor nuk mjafton. Komisioni mund ta vlerësojë gjendjen shëndetësore, por vendimmarrja duhet të garantojë edhe respektimin e dinjitetit, integritetit fizik dhe interesit më të mirë të fëmijës.

Martesa nën moshën 18-vjeçare dhe sterilizimi i të miturave janë dy çështje që, ndonëse kanë natyrë të ndryshme juridike, ngrenë një shqetësim të përbashkët për mënyrën se si mbrohen të drejtat e të miturve. Ligji për Familjen i Kosovës, nr. 2004/32, në nenin 16, përcakton se martesa lidhet pasi personi të ketë mbushur 18 vjet. Megjithatë, paragrafi 2 i këtij neni parasheh një përjashtim: gjykata mund t’ia lejojë martesën personit që ka mbushur 16 vjet, nëse ekzistojnë shkaqe të arsyeshme dhe vërtetohet pjekuria e nevojshme fizike dhe psikike. Pra, martesa para moshës 18-vjeçare nuk lejohet automatikisht. Ajo kërkon vendim të gjykatës dhe vlerësim të rrethanave konkrete.

Këtë rregullim duhet ta krahasojmë edhe me atë që parasheh pika 8 e nenit 8 të projektligjit. Për martesën e një personi të mitur, ligji kërkon vlerësimin e gjykatës dhe shqyrtimin e rrethanave konkrete, përfshirë pjekurinë e të miturit dhe mendimin e personave përgjegjës për mbrojtjen e tij. Ndërsa në rastin e sterilizimit të një vajze nën moshën 18-vjeçare, projektligji përmend lejen e Komisionit për Vlerësim Mjekësor. Kjo ngre një çështje serioze: pse për një vendim që lidhet me martesën parashihen procedura të posaçme mbrojtëse, ndërsa për një ndërhyrje që mund të ketë pasoja të përhershme në aftësinë riprodhuese të vajzës nuk përcaktohen po aq qartë të gjitha garancitë ligjore?

Natyrisht, martesa dhe sterilizimi nuk janë e njëjta gjë dhe nuk duhet të trajtohen si të tilla. Megjithatë, sterilizimi prek drejtpërdrejt aftësinë riprodhuese dhe mund të ketë pasoja që zgjasin gjatë gjithë jetës. Pikërisht për këtë arsye, ligjvënësi duhet të tregojë kujdes edhe më të madh kur parashikon një ndërhyrje të tillë për një të mitur. Një vajzë që ligji e konsideron fëmijë duhet të ketë mbrojtje të posaçme para se të merret një vendim që mund t’ia ndryshojë përgjithmonë të ardhmen riprodhuese. Nuk do të ishte e arsyeshme që për martesën të kërkohen procedura të qarta mbrojtëse, ndërsa për një ndërhyrje me pasoja kaq të rënda të mos përcaktohen garanci po aq të forta.

Një tjetër pyetje që lind nga formulimi i kësaj dispozite është: a mund të konsiderohet sterilizimi zgjidhje për një shtatzëni që paraqet rrezik për shëndetin e vajzës?

Pika 8 e nenit 8 e lidh mundësinë e sterilizimit me rrezikun që shtatzënia mund t’i paraqesë shëndetit të vajzës. Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Nëse një vajzë është tashmë shtatzënë dhe vazhdimi i shtatzënisë rrezikon jetën ose shëndetin e saj, kemi të bëjmë me një gjendje konkrete mjekësore. Për këto raste ekziston Ligji nr. 03/L-110 për Ndërprerjen e Shtatzënisë. Neni 15 i tij rregullon ndërprerjen e shtatzënisë për arsye mjekësore, kur vazhdimi i saj ose lindja e fëmijës paraqet rrezik për jetën apo shëndetin e gruas, në kushtet dhe sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Pra, ligji tashmë e rregullon mënyrën e trajtimit të rasteve kur një shtatzëni paraqet rrezik mjekësor. Për këtë arsye, duhet të sqarohet pse sterilizimi paraqitet si zgjidhje për një rrezik që lidhet me shtatzëninë. Sterilizimi nuk e trajton një shtatzëni ekzistuese. Ai ndikon në aftësinë e personit për të mbetur shtatzënë në të ardhmen. Nëse shqetësimi lidhet me rrezikun e një shtatzënie të ardhshme, para se të merret në konsideratë një ndërhyrje e përhershme duhet të shqyrtohen alternativat mjekësore, metodat e kthyeshme të kontracepsionit dhe trajtimi i gjendjes shëndetësore. Një rrezik që mund të shfaqet në të ardhmen nuk duhet të shndërrohet automatikisht në arsye për një ndërhyrje që mund të ketë pasoja të përhershme. Nuk duhet përdorur një ndërhyrje kaq e rëndë kur ekziston një zgjidhje më pak ndërhyrëse.

Mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër: çfarë ndodh nëse ekziston rreziku që fëmija i ardhshëm të lindë me probleme të rënda shëndetësore? Edhe pjesa e dytë e pikës 8 kërkon sqarim. Aty përmendet mundësia që fëmija i ardhshëm të ketë pasoja shëndetësore në zhvillim. Por duhet të shpjegohet se si ky rrezik e arsyeton sterilizimin e vajzës. Në rastet kur dyshohet për sëmundje trashëguese, duhet të shqyrtohen këshillimi gjenetik dhe mundësitë mjekësore për vlerësimin e rrezikut. Edhe vetë projektligji, në nenin 10, parasheh fertilizimin e asistuar për parandalimin e bartjes së sëmundjeve të rënda trashëguese. Prandaj, para se sterilizimi të paraqitet si zgjidhje, duhet të sqarohet pse nuk do të mjaftonin alternativat e tjera mjekësore.

Pse atëherë të mos përcaktohen më parë kritere të qarta për diagnostikim, këshillim gjenetik dhe trajtim, në vend që sterilizimi i një vajze të mitur të paraqitet si zgjidhje? Mundësia që një fëmijë i ardhshëm të ketë një sëmundje nuk duhet të jetë, pa një vlerësim të plotë mjekësor dhe juridik, arsye për t’ia ndërprerë një vajze aftësinë riprodhuese.

Duhet bërë dallim edhe ndërmjet sëmundjeve të lehta, aftësive të kufizuara dhe keqformimeve të rënda që janë të papajtueshme me jetën. Këto nuk janë kategori të njëjta dhe nuk mund të trajtohen me të njëjtin standard. Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë, në nenin 15, paragrafin 2, parasheh kushte të veçanta për rastet kur fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën ose gjendje të rënda shëndetësore. Kjo dispozitë nuk nënkupton se çdo problem shëndetësor i fetusit e arsyeton ndërprerjen e shtatzënisë. Në të njëjtën mënyrë, as çdo rrezik i mundshëm për një shtatzëni të ardhshme nuk mund të përdoret si arsye për sterilizimin e nënës.

Mund të thuhet se projektligji e kërkon pëlqimin me shkrim të individit. Por, a mjafton kjo kur bëhet fjalë për një vajzë nën moshën 18-vjeçare? Paragrafi 12 i nenit 8 e përcakton pëlqimin me shkrim si kusht për sterilizimin. Megjithatë, për një të mitur duhet të sqarohet se si sigurohet që pëlqimi është dhënë lirshëm, pas informimit të plotë dhe pa asnjë formë presioni. Kush e vlerëson nëse vajza i kupton pasojat e ndërhyrjes? A duhet të dëgjohet mendimi i saj dhe i prindit ose kujdestarit? A duhet t’i garantohet mundësia për të marrë një mendim tjetër mjekësor? Mbi të gjitha, a i shpjegohen qartë pasojat që mund të ketë sterilizimi për aftësinë e saj për të pasur fëmijë në të ardhmen?

Projektligji nuk jep përgjigje të mjaftueshme për këto çështje. Për këtë arsye, dispozita duhet të shqyrtohet edhe në raport me Ligjin nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës. Neni 5 i këtij ligji përcakton interesin më të mirë të fëmijës si parim që duhet të merret parasysh në vendimet që e prekin atë. Neni 6 lidhet me zhvillimin gradual të aftësive të fëmijës, ndërsa neni 7 garanton të drejtën e tij për t’i shprehur pikëpamjet dhe për t’u dëgjuar, duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë. Këto janë detyrime ligjore për institucionet, jo vetëm parime që mund të zbatohen sipas dëshirës. Prandaj, vlerësimi i një komisioni mjekësor nuk mund të jetë i vetmi kusht. Duhet të respektohen edhe garancitë që ligji ia njeh çdo fëmije.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë pikënisja e çdo rregullimi ligjor që prek të drejtat themelore të njeriut. Neni 23 garanton dinjitetin e njeriut, neni 24 barazinë para ligjit, ndërsa neni 26 mbron integritetin personal. Në këtë analizë duhet të merret parasysh edhe neni 50, i cili garanton mbrojtjen e fëmijëve dhe përcakton se interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore në të gjitha veprimet që lidhen me të. Po ashtu, neni 55 përcakton kushtet në të cilat mund të kufizohen të drejtat dhe liritë themelore. Këto dispozita duhet të shqyrtohen së bashku për të vlerësuar nëse rregullimi i propozuar ofron mbrojtje të mjaftueshme për vajzat e mitura.

Kur një ndërhyrje mund t’ia heqë një vajze të mitur mundësinë për t’u bërë nënë në të ardhmen, pëlqimi me shkrim nuk mund të jetë garancia e vetme. Duhet të ketë vlerësim të plotë mjekësor dhe juridik, si dhe të shqyrtohen të gjitha alternativat e mundshme. Nuk po pretendoj se çdo sterilizim përbën automatikisht shkelje kushtetuese. Në raste të veçanta, një ndërhyrje mund të jetë e domosdoshme për arsye serioze mjekësore. Por një gjë është ndërhyrja e domosdoshme për të mbrojtur shëndetin ose jetën dhe krejt tjetër është paraqitja e sterilizimit si metodë e zakonshme e planifikimit familjar për të miturat. Kjo e fundit kërkon arsyetim shumë më të fortë dhe garanci të qarta ligjore.

Të njëjtat çështje duhet të vlerësohen edhe në dritën e konventave ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës, sipas nenit 22 të Kushtetutës. Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon që interesi më i mirë i fëmijës të jetë konsideratë parësore, që fëmija të ketë mundësi të shprehë mendimin e tij dhe që të mbrohet nga dëmtimi i shëndetit dhe mirëqenies (nenet 3, 12, 19 dhe 24). Ndërsa Konventa CEDAW, në nenin 16, paragrafin 1, pikën e), njeh të drejtën e grave dhe burrave për të vendosur lirshëm dhe me përgjegjësi për numrin dhe hapësirën ndërmjet fëmijëve. Edhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, në nenin 17, mbron jetën private dhe familjare nga ndërhyrjet arbitrare ose të paligjshme. Këto instrumente nuk e përjashtojnë ndërhyrjen mjekësore kur ajo është e domosdoshme, por kërkojnë respektimin e të drejtave, dinjitetit dhe garancive ligjore të personit.

Çfarë qëndrimi mban jurisprudenca islame ndaj sterilizimit dhe planifikimit familjar?

Kjo çështje nuk ka vetëm dimension mjekësor dhe juridik. Ajo lidhet edhe me një nga objektivat themelore të jurisprudencës islame, ruajtjen e pasardhësve (hifz al-nasl). Në traditën islame, familja ka një rëndësi të veçantë për shoqërinë, ndërsa lindja dhe edukimi i fëmijëve shihen si mirësi dhe përgjegjësi. Në Kuran thuhet: “Allahu për ju krijoi bashkëshorte nga vetë lloji juaj dhe nga bashkëshortet tuaja ju dhuroi fëmijë e nipër” (En-Nahl, 72). Në një ajet tjetër ndalohet vrasja e fëmijëve nga frika e varfërisë (El-Isra, 31). Këto parime e bëjnë të nevojshme që çdo ndërhyrje që prek aftësinë riprodhuese të shqyrtohet me kujdes, duke marrë parasysh jetën, shëndetin dhe dinjitetin e njeriut.

Megjithatë, këto parime nuk duhet të kuptohen sikur jurisprudenca islame e ndalon çdo metodë të planifikimit familjar. Ajo bën dallim ndërmjet shtyrjes së përkohshme të shtatzënisë dhe ndërprerjes së përhershme të aftësisë riprodhuese. Në këtë drejtim, Akademia Ndërkombëtare e Jurisprudencës Islame, pranë Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ka trajtuar çështjen e kontrollit të lindjeve në Rezolutën nr. 39 (1/5), të vitit 1988. Në thelb, qëndrimi i saj dallon kontrollin e përkohshëm të lindjeve nga sterilizimi i përhershëm. Ky i fundit nuk lejohet, përveç rasteve të domosdoshmërisë së pranuar sipas kritereve përkatëse. Po ashtu, kontrolli i përkohshëm i lindjeve mund të lejohet kur bëhet për arsye të arsyeshme, me pëlqimin e bashkëshortëve dhe pa shkaktuar dëm.

Në këtë kuptim, sterilizimi i një vajze të mitur pa një domosdoshmëri të vërtetë mjekësore ngre çështje serioze edhe nga këndvështrimi i jurisprudencës islame. Një prej parimeve të njohura të kësaj tradite është hadithi profetik: «Nuk ka dëm dhe as dëmtim (as vetes, as tjetrit)». Ky parim kërkon që mbrojtja e shëndetit të mos bëhet në një mënyrë që shkakton një dëm tjetër të panevojshëm. Prandaj, çdo ndërhyrje që prek aftësinë riprodhuese duhet të mbështetet në një arsye të fortë dhe të vlerësohet në raport me pasojat që mund të sjellë për personin.

Një çështje tjetër që duhet të shqyrtohet është raporti ndërmjet ligjit aktual dhe projektligjit të ri. Kosova ka në fuqi Ligjin nr. 02/L-76 për Shëndetin Riprodhues. Neni 17 i këtij ligji e trajton sterilizimin artificial si metodë të planifikimit familjar dhe rregullon mundësinë e sterilizimit kirurgjik. Ndërkaq, neni 54 i projektligjit parasheh shfuqizimin e ligjit aktual. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë vetëm me plotësimin e disa dispozitave ekzistuese, por me zëvendësimin e një kornize ligjore me një rregullim të ri. Në këto rrethana, ligjvënësi duhet të shpjegojë arsyet e ndryshimeve, bazën mjekësore dhe juridike mbi të cilën janë mbështetur ato dhe ndikimin që mund të kenë në të drejtat e individit. Nuk mjafton të thuhet se synohet modernizimi i legjislacionit. Kur ndryshohet një rregullim që prek integritetin fizik dhe aftësinë riprodhuese të njeriut, arsyetimi duhet të jetë i qartë dhe i mbështetur në të dhëna.

Në këtë pikë shtrohet edhe një pyetje më e gjerë: ku përfundon planifikimi familjar dhe ku mund të fillojë ndërhyrja e tepruar e shtetit në vendimet riprodhuese të qytetarëve? Nuk do të ishte e drejtë të thuhej se vetëm nga përmbajtja e këtij projektligji mund të provohet ndonjë synim për zvogëlimin e popullsisë. Për një përfundim të tillë do të nevojiteshin prova dhe të dhëna konkrete. Megjithatë, është plotësisht e arsyeshme të kërkohet që ligjvënësi të sqarojë kufijtë e ndërhyrjes shtetërore në një fushë kaq personale dhe të ndjeshme.

Detyra e shtetit është të krijojë kushte që familjet të mund t’i rrisin fëmijët në një mjedis të sigurt, me kujdes shëndetësor, mbështetje sociale dhe siguri ekonomike. Nuk duhet të krijohet një qasje ku ndërhyrjet me pasoja të përhershme paraqiten si zgjidhje e zakonshme për probleme që mund të trajtohen edhe në mënyra të tjera. Nëse synimi është mbrojtja e shëndetit të gruas, atëherë vëmendja duhet të përqendrohet te diagnostikimi i hershëm, këshillimi gjenetik, trajtimi mjekësor dhe mbështetja e nënave. Mbrojtja e shëndetit nuk duhet të barazohet me ndërprerjen e aftësisë riprodhuese, kur ekzistojnë alternativa të tjera.

Duke pasur parasysh të gjitha këto çështje, konsideroj se neni 8 i projektligjit duhet të rishikohet në tërësi. Në veçanti, pika 8 duhet të hiqet ose të riformulohet në mënyrë të tillë që të përcaktojë qartë rastet e jashtëzakonshme kur mund të merret në konsideratë një ndërhyrje e tillë, kushtet mjekësore që duhet të plotësohen dhe garancitë juridike për mbrojtjen e të miturës.

Për këtë arsye, ligjvënësi duhet të ndërmarrë disa hapa konkretë. Së pari, në nenin 3 duhet të përfshihet një përkufizim i qartë i sterilizimit, duke sqaruar llojet e tij, pasojat dhe mundësinë e rikthimit të aftësisë riprodhuese. Së dyti, duhet të përcaktohet se sterilizimi i të miturave nuk mund të përdoret si metodë e planifikimit familjar. Çdo përjashtim duhet të kufizohet në raste të jashtëzakonshme të domosdoshmërisë mjekësore, kur nuk ekziston alternativë tjetër më pak ndërhyrëse. Së treti, ligji duhet të garantojë që vajza të informohet dhe të dëgjohet, që mendimi i saj të merret parasysh sipas moshës dhe pjekurisë, si dhe të respektohen garancitë e tjera të mbrojtjes së fëmijës. Në fund, të gjitha këto dispozita duhet të harmonizohen me Kushtetutën, Ligjin për Familjen dhe konventat ndërkombëtare.

Askush nuk e kundërshton të drejtën e qytetarëve për informim, kujdes shëndetësor dhe vendimmarrje të përgjegjshme për jetën familjare. Por duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet planifikimit të lindjes së fëmijëve dhe ndërprerjes së aftësisë për t’u bërë prind. Po ashtu, trajtimi i një sëmundjeje nuk është i njëjtë me sterilizimin e një vajze për shkak të një rreziku që mund të shfaqet në të ardhmen. Një rrezik i tillë duhet të vlerësohet me kujdes dhe nuk mund të jetë, pa shqyrtuar alternativat e tjera, arsye e mjaftueshme për një ndërhyrje me pasoja të mundshme të përhershme.

Termi “planifikim familjar” nuk mund të përdoret si arsyetim i përgjithshëm për çdo ndërhyrje që prek aftësinë riprodhuese të njeriut. Ligji duhet të përcaktojë qartë se cilat metoda lejohen, në çfarë kushtesh dhe me çfarë garancish. Mbi të gjitha, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, konventat ndërkombëtare dhe parimet që mbrojnë të drejtat e fëmijës.

Në fund, hartuesit e këtij projektligji duhet t’i japin përgjigje një pyetjeje themelore:

Nëse një vajzë nën moshën 18-vjeçare nuk mund të vendosë e vetme për martesën pa plotësuar kushtet që kërkon ligji, atëherë me çfarë arsyetimi juridik, mjekësor dhe etik parashihet mundësia që ajo t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje që mund t’ia heqë përgjithmonë aftësinë për të pasur fëmijë?

Kjo pyetje meriton përgjigje të qartë nga institucionet dhe nga hartuesit e projektligjit. Shëndeti riprodhues duhet të shërbejë për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të njeriut. Ai nuk duhet të shndërrohet në një rregullim që, pa garanci të mjaftueshme juridike dhe mjekësore, mund t’ia kufizojë një vajze të mitur mundësinë për t’u bërë nënë në të ardhmen.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Rasti i Arlindës: Ndihmuan në vrasje, nëna e t’bijtë në burg (VIDEO)

Rasti i Arlindës: Ndihmuan në vrasje, nëna e t’bijtë në burg (VIDEO)

Rama akuza Qeverisë : Adem Jashari s’ka vend në Prishtinë (VIDEO)

Rama akuza Qeverisë : Adem Jashari s’ka vend në Prishtinë (VIDEO)

Përurohet në Prishtinë: Rruga Wisner, lidhje mes Kosovës e ShBA-së (VIDEO)

Përurohet në Prishtinë: Rruga Wisner, lidhje mes Kosovës e ShBA-së (VIDEO)