Klan Kosova, me qëllim të informimit të drejtë dhe të plotë të opinionit publik, sqaron rrethanat lidhur me largimin e disa punonjësve të portalit dhe kundërshton fuqishëm paraqitjen e kësaj çështjeje si rast të kërkimit të punës jashtë orarit pa pagesë, ose jashtë obligimeve kontraktuale dhe përshkrimit të vendit të punës.

Çështja e ngritur lidhet me organizimin e mbulimit të Big Brother VIP Kosova nga stafi i portalit, një format që përbën produkt të Klan Kosovës dhe pjesë të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së saj mediale.
Të premten fillon edicioni i pesë i këtij formati televiziv. Për shkak se është ndërmarrja më e madhe televizive jo vetëm në Klan Kosova, por edhe në gjithë skenën televizive kosovare, kjo kërkon edhe angazhim të stafit shtesë, por edhe angazhim nga të gjithë të punësuarit në televizion.
Për këtë arsye, televizioni ka vendosur një praktikë që nga edicioni i parë i formatit Big Brother, e cila parasheh që secili pjesëtar i stafit, të cilit do t’i duhet të punojë orë shtesë jashtë orarit 8-orësh të punës, edhe të paguhet shtesë.
Në këtë mënyrë, përveç angazhimit të punëtorëve shtesë vetëm gjatë kohës sa transmetohet Big Brother, marrin pagesë shtesë edhe të gjithë punëtorët me kontrata të rregullta në Klan Kosova, të cilët angazhohen jashtë orarit të rregullt të punës për projektin. Sot, janë dhjetra punëtorë të rregullt të Klan Kosovës, të cilët paguhen shtesë, për angazhimin shtesë për realizimin e Big Brother.
Edhe punonjësve të portalit, menaxhmenti ua ka sqaruar shprehimisht, edhe përmes komunikimit me shkrim, se asnjëherë nuk është kërkuar punë jashtë orarit të rregullt dhe as nuk është refuzuar kompensimi nëse një angazhim i tillë do të kërkohej. Si dhe me katër edicionet e kaluara të Big Brother, redaksia e portalit ka kryer punën e tyre në mënyrë profesionale, duke iu përgjigjur kërkesave të publikut për t’u informuar, që në rastin konkret ka interesim të madh të publikut për t’u informuar edhe me lajme nga format televiziv Big Brother.
Big Brother është një ndër formatet televizive më të përcjellura në botë, edhe ndër shqiptarë vlen për spektaklin më të përcjellur televiziv. Për shkak të popullaritetit të jashtëzakonshëm, të gjithë janë dëshmitarë se edhe mediat e tjera prodhojnë shumë lajme për ato që ndodhin në formatin Big Brother, jo vetëm prodhuesi, në këtë rast, Klan Kosova.
Marrë parasysh këto fakte, ne nuk kemi pranuar që disa të punësuar në redaksinë e portalit, në formë shantazhi (në javën kur fillon transmetimin Big Brother), të kërkojnë të paguhen shtesë gjatë orarit të rregullt të punës. Mënyra dhe koha e paraqitjes së kërkesave, si dhe përpjekja për ta shndërruar mosmarrëveshjen në presion publik, ngrenë shqetësime serioze mbi instrumentalizimin e kësaj situate për të imponuar kushte financiare shtesë, jashtë asaj që rrjedh nga detyrimet kontraktuale.
Klan Kosova respekton të drejtat e punonjësve dhe nuk e konteston të drejtën e tyre për të ngritur shqetësime apo për të kërkuar trajtimin e pretendimeve të tyre në rrugë institucionale. Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të përdoret si mbulesë për paraqitjen selektive të fakteve, për krijimin e një perceptimi të rremë mbi veprimet e punëdhënësit apo për ushtrimin e presionit publik në një moment të ndjeshëm të veprimtarisë së kompanisë. Të drejtat e punonjësve meritojnë mbrojtje, por edhe e vërteta faktike, reputacioni i kompanisë dhe e drejta e publikut për t’u informuar saktë meritojnë të njëjtin seriozitet.
Në këtë kontekst, reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës është i nxituar, i njëanshëm dhe i papërgjegjshëm për nga pasojat që mund të prodhojë, pasi është publikuar pa u siguruar më parë një pasqyrë e plotë e rrethanave, pa u shqyrtuar komunikimi me shkrim dhe pa u dëgjuar në mënyrë të mirëfilltë qëndrimi i kompanisë. Mbrojtja e gazetarëve dhe e të drejtave të tyre është mision legjitim, por ky mision nuk e justifikon paragjykimin e një mosmarrëveshjeje, as shndërrimin e pretendimeve të njërës palë në përfundime publike të pakontrolluara. Një qasje e tillë rrezikon ta cenojë besueshmërinë e vetë procesit të verifikimit dhe ta ushqejë keqinformimin që institucionet dhe organizatat profesionale duhet të ndihmojnë në parandalimin e tij.
Klan Kosova është e gatshme t’ia vërë në dispozicion Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës komunikimin me shkrim dhe dokumentacionin përkatës, duke respektuar privatësinë e personave të përfshirë. Në të njëjtën kohë, kërkon që AGK-ja të rishqyrtojë qëndrimin e saj mbi bazën e fakteve të verifikueshme dhe të korrigjojë publikisht çdo deklarim që krijon një pasqyrë të pasaktë ose të njëanshme të rastit.
Sinqerisht,
Klan Kosova




