Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojë sot protestë gjithëkombëtare, me kërkesë për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastet e vrasjes së grave në Kosovë.
Protesta është thirrur për orën 12:00, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se vrasja e Arlindës ka nxjerrë në pah dështimet e zinxhirit institucional në mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.

Përmes kësaj proteste, Kolektivi kërkon që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare dhe që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
Ndër kërkesat kryesore të organizatorëve janë shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i zyrtarëve që i konsiderojnë përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt.
Në këtë listë përfshihen kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, prokurorja Suada Rama Hamza, kryetari i Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësi Migjen Kastrati, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, si dhe togeri Faruk Muqolli.
Po ashtu, kërkohet shkarkimi i Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu apartiak dhe i pavarur i sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Kolektivi ka bërë të ditur se angazhimi i tyre nuk do të përfundojë me kërkimin e drejtësisë për Arlindën, por do të vazhdojë për sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha vajzave dhe grave në Kosovë.
Burimi: Dukagjini




