Avokati Shkëlzen Sopjani ka komentuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke thënë se përgjegjësia për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nuk duhet të ndalet vetëm te Policia.
Sopjani, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka vlerësuar se gjatë udhëheqjes së Hoxhës, veçanërisht pas sulmit në Banjskë, Policia ka shënuar edhe zhvillime pozitive.

Megjithatë, ai ka thënë se dorëheqja e tij, në këtë situatë, ngre çështjen e përgjegjësisë edhe në institucionet e tjera.
“Çfarëdo përgjegjësie ka Hoxha, atëherë ka edhe kryeprokurori e prokurori. Përgjegjësia institucionale u adresua me disa suspendime, megjithatë mendoj se përgjegjësia profesionale është shumë më e thellë dhe afatgjatë”, ka deklaruar Sopjani.
Ai ka theksuar se problemi më serioz në sistemin e drejtësisë është zbehja e llogaridhënies dhe mungesa e frikës nga pasojat profesionale, dukuri që, sipas tij, është theksuar gjatë 10-15 vjetëve të fundit.
“Llogaridhënia është duke u zhdukur deri në nivelin më të ulët të zyrtarit, pasi edhe frika prej pasojave është zhdukur”, ka thënë ai.
Për ta ilustruar këtë problem, Sopjani ka përmendur edhe përvojën e tij si avokat, duke thënë se ka raste kur Gjykata e Apelit ua prish gjyqtarëve 30 deri në 40 aktgjykime brenda një viti, por ata nuk përballen me përgjegjësi.
“Prej përvojës time si avokat ka shumë raste që një gjyqtari ia prish Apeli 30-40 aktgjykime gjatë vitit dhe nuk ka kurrfarë përgjegjësie, e as nuk i thotë askush asgjë. Në fund, vlerësimi bëhet se sa raste ka zgjidhur, por jo cilësia e aktgjykimeve”, është shprehur Sopjani.
Burimi: Dukagjini




