Kryeministri slloven, Janez Jansha, ka deklaruar se Sllovenia nuk do të mbështesë asnjë përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, derisa Beogradi të dorëzojë arkivat e ish-shërbimeve sekrete jugosllave që kanë të bëjnë me Slloveninë.

Ai e bëri të ditur këtë qëndrim në platformën e rrjeteve sociale X, një ditë pas zgjedhjeve në Serbi, në një kohë kur çështja e rrugëtimit evropian të këtij vendi po shtrohet sërish, transmeton Telegrafi.
Ndonëse Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi më herët se “dera e BE-së është e hapur” për Serbinë, mesazhet nga Sllovenia tregojnë se vazhdimi i negociatave nuk do të jetë i mundur pa zgjidhur çështjet e mbetura pezull midis dy shteteve.
Teksa mirëpriti mundësinë që autoritetet e reja serbe të përshpejtojnë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Jansha vendosi njëkohësisht një kusht të qartë.
“Ne nuk do të japim pëlqimin tonë për asnjë përparim, derisa Serbia t’i dorëzojë Sllovenisë të gjitha arkivat e Udba-s, SDV-së, APJ-së, ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të ish-RSFJ-së që lidhen me Slloveninë”, deklaroi Jansha. /Telegrafi/




