Mounir Nasraoui, babai i yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, është përfshirë në një incident të dyshuar në aeroport, pak para udhëtimit drejt Londrës për ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Nasraoui dyshohet se u përfshi në një konflikt me një punonjëse të një kafeneje në aeroport, pasi kishte lënë xhaketën në një hapësirë ku kjo nuk lejohej.
Pas paralajmërimit nga punonjësja, mes tyre thuhet se nisi një debat verbal që më pas u përshkallëzua.
Sipas të njëjtave pretendime, babai i futbollistit e pështyu punonjësen në fytyrë. Në momentin kur një person tjetër u përpoq të ndërhynte për të qetësuar situatën, Nasraoui dyshohet se mori një karrige dhe tentoi ta hidhte në drejtim të tij.
Ndërhyri policia
Situata thuhet se u bë mjaft serioze, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë, e cila arriti ta përfundonte konfliktin. Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për ndonjë kallëzim zyrtar apo masa të mundshme ndaj Nasraouit.
Pretendimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndaj rrethanat e incidentit duhet të trajtohen me kujdes deri në publikimin e informacioneve nga autoritetet kompetente, shkruan mediumi spanjoll Cronica Global.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të profilit publik të Nasraouit, i cili shpesh është në qendër të interesimit mediatik si babai i një prej futbollistëve të rinj më të njohur në botë.
Sipas raportimit, incidenti ndodhi në periudhën kur ai po udhëtonte drejt Londrës për ceremoninë e Topit të Artë.
Sulmi ndaj gazetarit rus
Në tekstet e publikuara përmendet gjithashtu një përplasje me gazetarë rusë, të cilët thuhet se iu afruan për ta përgëzuar për çmimin e fituar nga djali i tij, por edhe këto pretendime kërkojnë konfirmim të mëtejshëm.
Ndërkohë, Lamine Yamal nuk raportohet të ketë qenë i përfshirë në incident. Vëmendja ndaj tij mbetet e përqendruar te paraqitjet me Barcelonën dhe karriera e tij futbollistike.
Nasraoui shumë shpesh e gjen vetën në situata skandaloze, sikurse që ishte edhe ajo që vitin e shkuar u therë me thika në lagjen ku jeton. /Telegrafi/




