Një skandal i rrallë ka tronditur futbollin irakian, ku ndeshja mes Zakhos dhe Karbalasë është ndërprerë pas vetëm 14 minutash lojë, për shkak të një situate të pazakontë të shkaktuar nga kriza financiare e skuadrës mysafire.

Përballja, e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit irakian, nisi në rrethana të jashtëzakonshme, pasi Karbala u paraqit në fushë me vetëm shtatë futbollistë, numri minimal i lejuar për të zhvilluar një ndeshje futbolli.
Problemet financiare kishin bërë që pjesa tjetër e lojtarëve të refuzonte udhëtimin drejt qytetit të Zakhos, në shenjë proteste për pagat e papaguara prej tre muajsh.
Vendasit e shfrytëzuan menjëherë epërsinë numerike, duke shënuar dy gola të shpejtë. Sipho Mbule realizoi në minutën e pestë, ndërsa Shirko Kareem e dyfishoi epërsinë në minutën e nëntë.
Situata mori një kthesë edhe më të pazakontë në minutën e 14-të, kur futbollisti i Karbalasë, Mohammed Baqir, pësoi lëndim. Kjo bëri që skuadra mysafire të mbetej me vetëm gjashtë lojtarë në fushë.
Sipas rregullave të futbollit, një ndeshje nuk mund të vazhdojë nëse njëra prej skuadrave ka më pak se shtatë futbollistë në fushë. Për këtë arsye, gjyqtari Wameed Mahmoud u detyrua ta ndërpriste përballjen.
Pas përfundimit të ndeshjes, klubi i Karbalasë reagoi përmes një komunikate zyrtare, duke shpjeguar se situata nuk ishte krijuar qëllimisht për të dëmtuar kampionatin, por ishte pasojë e problemeve të rënda financiare dhe administrative.
Sipas klubit, mungesa e një bordi të përkohshëm drejtues prej 43 ditësh e kishte pamundësuar menaxhimin normal të skuadrës. Karbala bëri të ditur se kriza kishte arritur në atë pikë sa rrezikohej edhe vazhdimësia e aktiviteteve sportive, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Komiteti Olimpik Kombëtar i Irakut.
Ndërkohë, sipas raportimeve nga mediat irakiane, ndeshja është regjistruar si fitore 3-0 për Zakho, ndërsa Karbala mbetet në fund të tabelës me shtatë pikë./Telegrafi/





