Sa pak vlen liria e qytetarit për Prokurorinë Themelore në Prishtinë? Një lopë hyn në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, dëmton pak gjelbërim dhe pronari i saj përfundon në ndalim për 48 orë. Një vendim që ngre shqetësime të rënda për mënyrën se si një prokuror ka ushtruar pushtetin për të privuar një njeri nga liria, për një incident që vetë ankuesi e kishte përshkruar si të parëndësishëm për nga dëmi, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, në oborrin e Degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë.
Rreth orës 16:00, Policia është njoftuar se një lopë kishte hyrë në hapësirat e Gjykatës.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë takuar gjyqtarin Sinisha Borisavljeviq dhe pronarin e kafshës, Hashim Miftarin (59), nga Hajvalia.
Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë për të dhënë deklarata.
Gjatë intervistimit, gjyqtari ka deklaruar se punonjësit e sigurimit i kishin larguar kafshët nga oborri tri deri në katër herë gjatë asaj dite dhe se raste të ngjashme kishin ndodhur edhe më parë.
Madje, sipas deklaratës së tij, në oborrin e Gjykatës kishin hyrë më herët edhe rreth 15 dhi. Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu se do t’i dorëzojë Policisë pamjet e kamerave të sigurisë.
Ai ka sqaruar se dëmi në gjelbërimin e oborrit ishte minimal dhe se qëllimi i thirrjes së Policisë ishte vetëm që pronarit t’i tërhiqej vëmendja për kujdesin ndaj kafshëve.
Nga ana tjetër, Miftari, në deklaratën e dhënë vullnetarisht, ka deklaruar se lopa i kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në oborrin e Gjykatës.
Megjithatë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka urdhëruar që 59-vjeçari të ndalohet për 48 orë.
Jo thjesht të intervistohet. Jo vetëm të hetohet në procedurë të rregullt. Të privohet nga liria.
Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas nenit 321 të Kodit Penal.
Pas vendimit për ndalim, Miftari është dërguar në mbajtje.
Por dyshimi për dëmtimin e një hapësire të gjelbër dhe domosdoshmëria e ndalimit të një qytetari janë dy çështje krejtësisht të ndryshme.
Çfarë rreziku paraqiste Hashim Miftari që nuk mund të trajtohej pa e futur në ndalim? A rrezikonte të arratisej? Të ndikonte në dëshmitarë? Të zhdukte provat e dëmtimit të barit në oborrin e Gjykatës?
Këto nuk janë pyetje për humor. Janë pyetje për një vendim që prek drejtpërdrejt një nga të drejtat më themelore të njeriut.
Në informacionet policore të siguruara nga Sinjali nuk jepet asnjë arsyetim konkret për domosdoshmërinë e ndalimit 48-orësh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë duhet të japë shpjegime për këtë vendim. Jo vetëm pse është iniciuar një rast penal, por pse një qytetar është privuar nga liria për një incident të tillë.
Kryeprokurori i këtij institucioni duhet të kërkojë sqarimin e rrethanave dhe arsyetimit të vendimit, ndërsa organet kompetente duhet të vlerësojnë nëse janë respektuar kërkesat ligjore për ndalimin.
Një prokuror ka të drejtë dhe detyrë të ndjekë veprat penale. Por kompetenca për të kufizuar lirinë nuk është privilegj personal dhe as mjet për të demonstruar autoritet.
Është pushtet që duhet ushtruar me përgjegjësinë më të lartë, sepse pas çdo vendimi për ndalim qëndron liria, dinjiteti dhe jeta e një njeriu.
Nëse ky vendim nuk mbështetet në arsye konkrete dhe të ligjshme, ai nuk mund të trajtohet si një episod i zakonshëm procedural. Ai kërkon shqyrtim institucional dhe përgjegjësi.
Një lopë mund ta dëmtojë barin e Gjykatës. Por një prokuror që e privon pa arsye të ligjshme një qytetar nga liria, dëmton diçka shumë më të rëndë: vetë besimin në drejtësi.
Shënim: Personi i dyshuar gëzon prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Burimi: Sinjali





