Siria mbylli të martën pikën kufitare Nassib me Jordaninë, duke pezulluar lëvizjen e pasagjerëve dhe trafikun tregtar në të dyja drejtimet, për shkak të zhvillimeve në terren në provincën Daraa, njoftoi në një deklaratë Autoriteti i Përgjithshëm Sirian për Kalimet Kufitare dhe Doganat.

Mbyllja erdhi pasi forcat ajrore të Jordanisë goditën ato që i përshkruan si strehimore të militantëve në Sirinë jugore, duke deklaruar se personat e dyshuar për sulmin vdekjeprurës të javës së kaluar ndaj një kishe në mbretërinë jordaneze, kishin lidhje me “grupe terroriste” që veprojnë atje.
Pika kufitare Nassib është e vetmja pikë kalimi për pasagjerët dhe tregtinë midis Jordanisë dhe Sirisë.
Qeveria siriane deklaroi se Jordania nuk u koordinua me të përpara se të ndërmerrte sulme vdekjeprurëse në jug të vendit të hënën.
Një deklaratë e qeverisë siriane, e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA, theksoi se “nuk pati asnjë koordinim paraprak me palën siriane lidhur me operacionin ushtarak” të kryer nga Jordania.
Aty thuhet se autoritetet po hetojnë sulmet dhe po diskutojnë me Amanin, duke nënvizuar nevojën për një koordinim të përbashkët të sigurisë në zonat kufitare.
SANA citoi Ministrinë e Jashtme siriane të ketë njoftuar Jordaninë për “rezervën tonë të plotë lidhur me kryerjen e operacioneve brenda territorit sirian pa koordinim paraprak”.
Sipas deklaratës, po zhvillohen “komunikime dhe koordinime” me Jordaninë “për të trajtuar pasojat e këtij incidenti në një mënyrë që ruan sigurinë dhe sovranitetin e territorit sirian”.
Autoritetet siriane njoftuan se të paktën gjashtë persona u vranë gjatë sulmeve të së hënës në jug të vendit.
Në një deklaratë, autoritetet shëndetësore në provincën Daraa raportuan për “gjashtë dëshmorë, përfshirë tre fëmijë dhe një grua”.
Agjencia siriane e mbrojtjes civile, nga ana tjetër, raportoi gjithsej shtatë të vrarë në disa lokacione – gjashtë prej tyre në provincën Daraa, përfshirë tre fëmijë.
Ajo raportoi gjithashtu se një burrë u vra kur një sulm goditi një shtëpi në provincën fqinje Sweida, duke shtuar se trupi i tij ishte ende duke u nxjerrë nga rrënojat. /Telegrafi/




