SINJALI 24 | Natë e trazuar në Kosovë: Arrestime, miliona euro nën hetim, armë të vjedhura e rrahje brutale mes të miturve

SINJALI 24 | Natë e trazuar në Kosovë: Arrestime, miliona euro nën hetim, armë të vjedhura e rrahje brutale mes të miturve

SINJALI 24 | Natë e trazuar në Kosovë: Arrestime, miliona euro nën hetim, armë të vjedhura e rrahje brutale mes të miturve

Një natë e ngarkuar me zhvillime kriminale është regjistruar në disa qytete të Kosovës. Policia ka arrestuar persona të kërkuar për vepra të rënda penale, ka zbuluar raste të dyshuara të keqpërdorimit të miliona eurove në grante dhe ka nisur hetime për vjedhje të rënda, sulme fizike e dhunë në familje.

Sponsor 3M Express

Nga një përleshje mes nëntë të miturve në Gjilan, ku njëri përfundoi në QKUK në gjendje të rëndë, deri te vjedhja e katër armëve në Ferizaj dhe zhdukja e pajisjeve në vlerë prej 30 mijë eurosh nga objekti i RTK-së në Obiliq, këto janë ngjarjet kryesore të 24 orëve të fundit.

Prishtinë – Pas katër vjetësh në kërkim, dorëzohet pronari i kompanisë së përfshirë në aferën 180 mijë euroshe në Telekom

Pronari i kompanisë “Smart Marketing”, Rinor Konjusha (32), është paraqitur në Polici pas më shumë se katër vjetësh në kërkim, lidhur me hetimet për një kontratë 180 mijë eurosh me Telekomin e Kosovës.

Ai është intervistuar në prani të avokatit dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.

Rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim gjatë viteve 2018–2019.

Ferizaj – Mërgimtari kthehet nga Suedia dhe gjen shtëpinë e plaçkitur, i vidhen katër armë

Një 48-vjeçar ka denoncuar se persona të panjohur kanë hyrë me forcë në banesën e tij në rrugën “Hamit Tmava” dhe kanë vjedhur tri armë gjahu dhe një pistoletë Beretta.

Pronari ka deklaruar se posedonte leje për armët, vlera e të cilave arrin rreth 8 mijë euro, ndërsa dëmi nga thyerja e derës vlerësohet në 2 mijë euro.

Policia ka nisur hetimet për “Vjedhje të rëndë”, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.

Gjilan – Përleshja mes nëntë të miturve përfundon me dy të lënduar, njëri dërgohet në QKUK

Një përleshje mes dy grupeve të miturish në rrugën “Zija Shemsiu” ka përfunduar me dy të lënduar, pasi dyshohet se janë përdorur mjete të mprehta. Njëri nga të lënduarit, L.U., është transferuar në QKUK në gjendje të rëndë, por stabile. Dy të mitur janë arrestuar dhe ndaluar për 24 orë, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë identifikuar, por ende nuk janë lokalizuar. Rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Prishtinë – Arrestohet 23-vjeçari që dyshohet se keqpërdorte kartelat bankare të të huajve për blerje online

Burak Yilmaz është arrestuar nën dyshimin për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe keqpërdorim të kartelave bankare të shtetasve të huaj.

Gjatë kontrollit në një lokacion në rajonin e Prishtinës, Policia ka sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona, dy pajisje USB dhe dokumente të tjera.

Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë.

Mitrovicë – Dy ish-drejtues të kompanisë “Hirano Mushroom” ndalohen për dyshimet për keqpërdorim të granteve

Hasan Lahu, ish-drejtor, dhe Taulant Murati, menaxher i kompanisë “Hirano Mushroom”, janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të fondeve ndërkombëtare.

Kompania kishte përfituar dy grante nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh.

Hetuesit dyshojnë se 62 mijë e 902 euro janë keqpërdorur përmes raportimeve të pavërteta për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Hetimi kishte nisur pas kallëzimit penal të vetë përfaqësuesve të kompanisë.

Obiliq – Hajnat vjedhin pajisje në vlerë 30 mijë euro nga objekti i RTK-së në Bakshi

Një gjenerator, një kontejner dhe pajisje të tjera janë vjedhur nga objekti i transmetuesit të radios së RTK-së në fshatin Bakshi.

Dëmi i raportuar arrin rreth 30 mijë euro.

Objekti, i cili është nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nuk kishte sigurim fizik dhe as kamera të sigurisë.

Policia ka ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për “Vjedhje të rëndë”.

Obiliq – Arrestohet 37-vjeçari i kërkuar për vrasje të rëndë në tentativë, bën rezistencë ndaj policëve

Megzon Sefedini, rreth 37-vjeçar është arrestuar në shtëpinë e tij në Mazgit, pasi ishte në kërkim për disa vepra penale.

Ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar dy urdhërarreste për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Lëndim të lehtë trupor”.

Gjatë arrestimit, ai dyshohet se ka bërë rezistencë aktive, por është vënë nën kontroll nga policët dhe, me urdhër të gjykatës, është dërguar në mbajtje.

Prishtinë – Sherri për kartelën bankare të djalit me autizëm, 69-vjeçari ndalohet për dhunë në familje

Një 51-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj, 69-vjeçar, pasi ky i fundit dyshohet se e kishte larguar nga banesa pas një mosmarrëveshjeje për kartelën bankare të djalit të tyre me autizëm.

Gruaja ka deklaruar se bashkëshorti e kishte akuzuar për marrjen e kartelës.

Pas ndërhyrjes së Policisë, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

Prizren – Zbulohen mbetje mortore në varrezat e martirëve, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

Gjatë gërmimeve të zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Lubizhdë të Hasit janë zbuluar mbetje eshtërore njerëzore, të cilat dyshohet se mund t’i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Mbetjet janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime, autopsi dhe analiza të ADN-së, me qëllim të identifikimit të personit.

Gjakovë – I kërkoi para për të blerë bukë, 60-vjeçari dyshohet se e lëndoi bashkëshorten

Një 59-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj, pasi gjatë një mosmarrëveshjeje për para për blerjen e ushqimeve, ai dyshohet se e ka kapur me forcë për krahu dhe i ka shkaktuar hematomë.

Gruaja ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa 60-vjeçari i ka mohuar pretendimet për dhunë gjatë intervistimit. Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë.

Prishtinë – Nëna denoncon ish-bashkëshortin për presion psikologjik ndaj dy fëmijëve të mitur

Një 38-vjeçare ka denoncuar ish-bashkëshortin, duke pretenduar se ai po ushtron presion psikologjik ndaj dy fëmijëve të tyre të mitur. Gruaja ka dorëzuar në Polici edhe një raport të psikologut për vajzën.

Rasti është iniciuar si “Dhuna në familje”, ndërsa është kërkuar intervistimi i vajzës dhe dëgjimi i djalit nga përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

As urdhri i Gjykatës nuk e ndali – 46-vjeçari nga Kamenica shkel vazhdimisht masën mbrojtëse, e tradhton monitorimi elektronik dhe përfundon në pranga

As urdhri i Gjykatës nuk e ndali – 46-vjeçari nga Kamenica shkel vazhdimisht masën mbrojtëse, e tradhton monitorimi elektronik dhe përfundon në pranga

Ekskluzive | Policia bastis shtëpinë e 20-vjeçarit në Gjakovë, gjen 24 qese me marihuanë të gatshme për shitje – ky është i arrestuari

Ekskluzive | Policia bastis shtëpinë e 20-vjeçarit në Gjakovë, gjen 24 qese me marihuanë të gatshme për shitje – ky është i arrestuari

Videoja e të shtënave me armë çon Policinë te dy të rinj në Prishtinë – këta janë të dyshuarit që përfunduan nën hetime

Videoja e të shtënave me armë çon Policinë te dy të rinj në Prishtinë – këta janë të dyshuarit që përfunduan nën hetime