SINJALI 24 | Mashtrim me emrin e AKI-së, armë në vetura e shtëpi dhe kërcënime në shkolla – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit

SINJALI 24 | Mashtrim me emrin e AKI-së, armë në vetura e shtëpi dhe kërcënime në shkolla – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit

SINJALI 24 | Mashtrim me emrin e AKI-së, armë në vetura e shtëpi dhe kërcënime në shkolla – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit

Arma në çantën e një 27-vjeçari, revolveri i ndryshkur me katër fishekë të bllokuar, pushka e trashëguar nga vjehrri dhe fotografia me armë të dyshuar AK-47 kanë vënë në lëvizje Policinë në disa komuna të Kosovës. Në Prishtinë, një 25-vjeçar dyshohet se u shtir si agjent i AKI-së për t’i marrë para një qytetari me premtimin se do ta punësonte, ndërsa të shtënat pranë një shtëpie mbeten pa autor të identifikuar.

Sponsor 3M Express

Raportimet e 20 dhe 21 tetorit përfshijnë edhe një incident në shkollën “Zenel Hajdini”, ku një nxënës 14-vjeçar dyshohet se kërcënoi dhe tentoi ta sulmonte mësimdhënësin, si dhe arrestimin e një 29-vjeçari që u dërgua në vuajtje të dënimit me burgim.

Në disa prej rasteve janë sekuestruar armë dhe municion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Prishtinë – U shtir si agjent i AKI-së dhe mori para me premtimin për punësim, 25-vjeçari ndalohet për 48 orë

Për gati dy vjet dyshohet se e mbajti një qytetar me shpresa për punësim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke i marrë shuma të ndryshme parash.

Donat Novosella dyshohet se u prezantua rrejshëm si punonjës i AKI-së dhe premtoi se do t’ia siguronte viktimës një vend pune në këtë institucion.

Rasti u denoncua më 8 tetor, ndërsa hetimet u zhvilluan në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Më 21 tetor, pas intervistimit, Novosella u ndalua për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit. Shuma e parave që dyshohet se janë marrë ende nuk është bërë e ditur.

Prishtinë – Të shtëna pranë shtëpisë, 53-vjeçari dyshon te vëllezërit e ish-gruas, Policia gjen gëzhojë

Të shtëna me armë zjarri në rrugën “Lezha” në Prishtinë kanë ngritur shqetësim, ndërsa personi që ka shtënë ende nuk është identifikuar. Pronari i shtëpisë, E.V., ka shprehur dyshimin se pas incidentit mund të qëndrojnë vëllezërit e ish-bashkëshortes së tij, por kjo nuk është konfirmuar nga hetimet.

Ngjarja ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 22:00, ndërsa denoncimi është bërë mëngjesin e 21 tetorit.

Hetuesit dhe Forenzika kanë gjetur e sekuestruar një gëzhojë pranë oborrit. Sipas denoncuesit, kamerat e sigurisë nuk kanë qenë funksionale. Rasti po hetohet për veprën penale “Përdorim i armës”.

Lipjan – E ndalojnë me BMW në Magurë, 27-vjeçarit i gjejnë pistoletën me pesë fishekë

Një kontroll policor pranë rrethrrotullimit të Magurës ka përfunduar me arrestimin e Mërgim Avdylit, rreth 27-vjeçar, pasi në çantën e tij të dorës është gjetur një pistoletë e tipit “Zoraki”, me karikator dhe pesë fishekë.

Kontrolli është kryer më 21 tetor, rreth orës 14:05, gjatë ndalimit të veturës BMW që drejtonte 27-vjeçari.

Pas shoqërimit në stacion policor dhe njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh. Rasti po hetohet për posedim të paautorizuar të armëve.

Prishtinë – Nxënësi 14-vjeçar dyshohet se kërcënoi dhe tentoi ta sulmonte mësimdhënësin gjatë orës

Një incident shqetësues është raportuar në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ku një nxënës i lindur në vitin 2012 dyshohet se ka kërcënuar verbalisht mësimdhënësin dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjatë orës së TIK-ut.

Ngjarja ka ndodhur më 21 tetor, rreth orës 10:50. Policia ka intervistuar mësimdhënësin, por nxënësi ishte larguar para se zyrtarët të siguronin praninë e tij.

Prokurori i Shtetit ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”, ndërsa Policia po vazhdon veprimet për sqarimin e rrethanave.

Novobërdë – Po renovonte shtëpinë, gjeti revolen e gjyshit me katër fishekë të bllokuar

Gjatë një bastisjeje në fshatin Bostan të Novobërdës, Policia ka zbuluar një revolver të ndryshkur, brenda të cilit ndodheshin katër fishekë që nuk mund të nxirreshin për shkak të gjendjes së armës.

Goran Stoshiq ka deklaruar se e kishte gjetur revolverin një apo dy muaj më parë, gjatë renovimit të shtëpisë, dhe se arma i kishte përkitur gjyshit të tij të ndjerë.

Kontrolli është kryer më 21 tetor, me urdhëresë gjyqësore. Arma dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për posedim të paautorizuar të armëve.

Kaçanik – Policia po hetonte tentimvjedhjen, por zbuloi pushkën e trashëguar nga vjehrri

Një hetim për tentimvjedhje të rëndë në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik ka çuar në zbulimin e një rasti tjetër penal. Gjatë verifikimeve, Policia ka marrë informacione se Nebih Bela, posedonte një pushkë gjuetie pa leje të vlefshme.

55-vjeçari ka pranuar se e mbante armën, duke deklaruar se ajo i kishte mbetur trashëgim nga babai i bashkëshortes së tij. Sipas tij, për pushkën e tipit “Montecarlo” kishte pasur një leje të lëshuar gjatë administrimit të UNMIK-ut, por dokumenti i kishte humbur. Arma është sekuestruar, ndërsa Bela është liruar në procedurë të rregullt.

Gjakovë – Fotografia me armë të dyshuar AK-47 çon Policinë te shtëpia e një të riu, por arma nuk gjendet

Një fotografi ku shihet një i ri duke mbajtur një armë të gjatë, që dyshohet të jetë e tipit AK-47, ka nxitur hetimet e Policisë në Gjakovë.

I dyshuari, i lindur në vitin 2008, nga fshati Skivjan, është intervistuar më 21 tetor në prani të avokatit dhe ka mohuar se e posedonte armën.

Policia ka kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse me pëlqimin e pronarit, por nuk ka gjetur armë apo sende të tjera të kundërligjshme. I mituri është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet për posedim të paautorizuar të armëve.

Drenas – As dënimi prej 10 ditësh burgim nuk i shpëtoi, 29-vjeçari dërgohet në vuajtje të dënimit

Policia ka arrestuar Ramadan Muharrem Ukën, nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, në zbatim të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Arrestimi është kryer më 21 tetor, rreth orës 10:30. Pas përfundimit të procedurave, 29-vjeçari është dërguar për të vuajtur dënimin me burgim prej dhjetë ditësh.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Carragher shpërthen ndaj Fernandesit: Është turp të kritikosh Carrickun

Carragher shpërthen ndaj Fernandesit: Është turp të kritikosh Carrickun

Inspektorati gjobit taksitë ilegale në Fushë Kosovë, kontrollet do të vazhdojnë

Inspektorati gjobit taksitë ilegale në Fushë Kosovë, kontrollet do të vazhdojnë

Për mëngjese të shpejta – Meka Halal Food

Për mëngjese të shpejta – Meka Halal Food

SINJALI 24 | Mashtrim me emrin e AKI-së, armë në vetura e shtëpi dhe kërcënime në shkolla – çfarë ndodhi në 24 orët e fundit | Momenti