Sindroma e vajzës së madhe: Si ndikojnë përvojat e fëmijërisë në marrëdhëniet e dashurisë?

Sindroma e vajzës së madhe: Si ndikojnë përvojat e fëmijërisë në marrëdhëniet e dashurisë?

Sindroma e vajzës së madhe: Si ndikojnë përvojat e fëmijërisë në marrëdhëniet e dashurisë?

A janë gratë që që në fëmijëri janë mësuar të kujdesen për të tjerët më të prirura të marrin mbi vete të gjithë barrën e një marrëdhënieje?

Sponsor 3M Express

Në rrjetet sociale dhe në psikologjinë popullore po përmendet gjithnjë e më shpesh termi “sindroma e vajzës së madhe”. Ndonëse nuk përbën një diagnozë zyrtare mjekësore, ky fenomen përshkruan modele sjelljeje që burojnë nga dinamika familjare.

Vajzat e mëdha shpesh marrin që në fëmijëri përgjegjësi të shumta emocionale dhe praktike, duke luajtur rolin e një prindi të dytë ose të ndërmjetësueses në konfliktet familjare.

Këto modele mund të përsëriten edhe në marrëdhëniet romantike, ku ato priren t’i vendosin nevojat e partnerit përpara nevojave të tyre.

Sipas terapistes familjare Gayane Aramyan, e cila ka folur për HuffPost, përgjegjësitë e marra gjatë fëmijërisë mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet në moshën madhore.

Mësimet e fëmijërisë nuk harrohen lehtë

Kur një fëmijë mëson herët se dashuria dhe miratimi i të tjerëve lidhen me përgjegjshmërinë dhe kujdesin që tregon ndaj tyre, shkëputja nga ky rol në moshën madhore mund të jetë e vështirë.

Disa gra e konsiderojnë kërkimin e ndihmës si shenjë dobësie, ndërsa vlerën e tyre personale e matin me atë se sa të dobishme janë për të tjerët.

Psikiatrja Su Varma shpjegon se shumë vajza të mëdha janë detyruar të rriten para kohe, duke marrë përgjegjësi për të cilat nuk kanë qenë emocionalisht të përgatitura.

Megjithatë, jo të gjitha vajzat e mëdha zhvillojnë të njëjtat tipare. Mjedisi familjar, pritshmëritë e prindërve dhe përvojat individuale kanë rëndësi më të madhe sesa vetë radha e lindjes, transmeton Telegrafi.

Dëshirojnë barazi, por përsërisin modelet e vjetra

Edhe pse dëshirojnë një partner të përgjegjshëm, me të cilin mund të ndajnë detyrimet, këto gra shpesh rikthehen në rolin e njohur të personit që organizon, zgjidh problemet dhe mban gjithçka nën kontroll.

Ky model mund të shfaqet në organizimin e takimeve, planifikimin e udhëtimeve, menaxhimin e shtëpisë, kujdesin për fëmijët, madje edhe në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhënien.

Paradoksi qëndron në faktin se, edhe kur përpiqen të ndryshojnë këtë dinamikë, ato marrin përsëri përgjegjësinë për ndryshimin e saj.

Aftësia për të përballuar gjithçka, për të cilën shpesh janë lavdëruar, me kalimin e kohës mund të shndërrohet në një kurth emocional.

shutterstock

Kur partneri fillon të ngjajë me një fëmijë tjetër

Ndarja e pabarabartë e përgjegjësive mund të shkaktojë pakënaqësi, lodhje emocionale dhe zbehje të dëshirës për intimitet.

Kur një grua ndihet sikur duhet të kujdeset për partnerin njësoj si për një fëmijë, marrëdhënia rrezikon të humbasë karakterin e partneritetit mes dy të rriturve.

Terapistja Robin Hamilton shpjegon se kështu mund të krijohet një rreth vicioz: sa më pasiv të bëhet partneri, aq më shumë përgjegjësi merr gruaja. Ajo ndihet gjithnjë e më e lodhur, ndërsa partneri mund të ndihet i kontrolluar ose i kritikuar.

Kjo dinamikë bëhet veçanërisht e dukshme gjatë kalimit në prindërim, kur përgjegjësitë familjare shtohen.

Cilësitë që i bëjnë partnere të çmuara

Vajzat e mëdha shpesh zhvillojnë empati, pavarësi, pjekuri emocionale, këmbëngulje dhe aftësi drejtuese.

Ato mund të jenë partnere të besueshme, të përkushtuara, të kujdesshme ndaj nevojave emocionale dhe të gatshme për të përballuar së bashku periudhat e vështira.

Sfida qëndron në faktin se pikërisht cilësitë që i bëjnë partnere të çmuara, kur shoqërohen me përgjegjësi të tepruara, mund të bëhen burim konfliktesh.

Si të shkëputeni nga ky model sjelljeje?

Hapi i parë është të dalloni momentet kur merrni përgjegjësi automatikisht, pa menduar nëse ato ju takojnë vërtet.

Psikologët sugjerojnë t’i bëni vetes disa pyetje:

  • A po e bëj këtë sepse dëshiroj apo sepse ndihem e detyruar?
  • A e kam të vështirë të kërkoj ndihmë?
  • A besoj se gjithçka do të shkojë keq nëse nuk e kontrolloj vetë?
  • A i lejoj partnerit t’i kryejë detyrat sipas mënyrës së tij?

Komunikimi i hapur, vendosja e kufijve personalë, ndarja e barabartë e përgjegjësive dhe pranimi i ndihmës janë hapa të rëndësishëm drejt një marrëdhënieje më të shëndetshme.

Po aq e rëndësishme është të mos prisni përfundimin e të gjitha detyrimeve për t’i lejuar vetes të pushoni.

Nuk duhet të jeni gjithmonë të dobishme, të forta dhe të palodhura për të merituar dashuri. Vlera juaj nuk përcaktohet nga sasia e përgjegjësive që mbani mbi supe. /Telegrafi/

Lexo edhe

Ebola merr mbi 6 mijë jetë në Kongo

Ebola merr mbi 6 mijë jetë në Kongo

Temperaturat zbresin deri në -13 gradë, IHMK paralajmëron ngrica të forta në Kosovë

Temperaturat zbresin deri në -13 gradë, IHMK paralajmëron ngrica të forta në Kosovë

Judi Dench bëri shaka për ndërhyrjet estetike në fytyrë: Është tepër vonë për mua, gjithçka ka rënë

Judi Dench bëri shaka për ndërhyrjet estetike në fytyrë: Është tepër vonë për mua, gjithçka ka rënë