Dy sindikatat e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës, FSRTK dhe SPERTK kanë kundërshtuar përjashtimin e punëtorëve të transmetuesit publik nga paga e 13-të, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së kanë bërë të ditur se, për shkak të kufizimeve buxhetore, nuk kanë mundësi financiare për ekzekutimin e pagës së 13-të gjatë këtij viti, por se, sipas tyre, ajo është përfshirë në projeksionin buxhetor si dhe kërkesa për buxhet shtesë është në proces të finalizimit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës nuk përfitojnë nga vendimi për pagën e 13-të, pasi nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohet nga Thesari i Shtetit. Ai një përgjigje të tillë e dha pasi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu kërkoi sqarime për mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së.

E ndaj kësaj deklarate të ministrit Murati kanë reaguar të dy sindikatat e punëtorëve të RTK-së.
Federata Sindikale e RTK-së nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Qeveria e Kosovës trajtim të barabartë për punëtorët që paguhen nga fondet publike. Gjithashtu, ka kërkuar nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që të ndërmarrin veprimet e nevojshme institucionale për sigurimin e mjeteve financiare për pagën e 13-të.
FSRTK ka kundërshtuar arsyetimin e ministrit Murati se punëtorët e RTK-së nuk përfitojnë nga paga e 13-të, pasi pagat e tyre nuk ekzekutohen drejtpërdrejt nga Thesari i Shtetit.
FSRTK ka paralajmëruar se, nëse kërkesat nuk adresohen, do të shqyrtojë ndërmarrjen e veprimeve sindikale dhe juridike, përfshirë protesta dhe masa të tjera në përputhje me ligjin.
“Nëse vazhdon neglizhenca institucionale dhe nuk ofrohet një zgjidhje konkrete, FSRTK do të shqyrtojë dhe organizojë masa sindikale në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë: Organizimin e protestave sindikale; Bojkotimin e aktiviteteve dhe angazhimeve të caktuara të punës, në përputhje me ligjin; Organizimin e grevës, pas përmbushjes së procedurave ligjore; Veprime të tjera sindikale dhe mobilizim të punëtorëve deri në realizimin e kërkesave të tyre. Këto masa nuk janë qëllim në vetvete, por pasojë e mungesës së zgjidhjeve dhe e mosadresimit serioz të kërkesave të punëtorëve. Përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës do të rëndojë mbi institucionet që kanë kompetencë të veprojnë, por zgjedhin të mos japin përgjigje konkrete”, thuhet ndër të tjera në reagimin e FSRTK-së.
Kjo Federatë Sindikale ka thënë se nuk do të pranojnë që paga e 13-të të mbetet një kërkesë që përsëritet nga viti në vit, pa përgjegjësi dhe pa zgjidhje.
“Nëse institucionet nuk dëgjojnë zërin e punëtorëve përmes kërkesave dhe dialogut, do ta dëgjojnë përmes organizimit dhe veprimit sindikal. Federata Sindikale e RTK-së do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat ekonomike, sociale dhe profesionale të punëtorëve të saj. Asnjë institucion nuk duhet të harrojë se pas transmetuesit publik qëndrojnë punëtorët dhe familjet e tyre, të cilët meritojnë siguri ekonomike dhe trajtim të barabartë”, thuhet tutje në reagim.
Edhe SPERTK ka kundërshtuar përjashtimin e punëtorëve të transmetuesit publik nga ky përfitim, duke kërkuar njëherësh përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së për veprimet e ndërmarra dhe për mundësitë ligjore e financiare të sigurimit të mjeteve.
Kjo sindikatë ka kërkuar përgjigje të qarta dhe veprime të dokumentuara nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ka paralajmëruar mundësinë e organizimit të protestave, grevës dhe formave të tjera të veprimit sindikal, në përputhje me procedurat ligjore.
“SPERTK kërkon urgjentisht: 1. Nga menaxhmenti i RTK-së që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme institucionale për të siguruar përfshirjen e punëtorëve të RTK-së në përfitimin e pagës së 13-të; 2. Nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së që të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve. Nëse dështojnë ta përmbushin këtë përgjegjësi, kërkojmë dorëheqjen e tyre; 3. Nga ministri Murati dhe Qeveria e Kosovës kërkojmë trajtim të barabartë për të gjithë punëtorët që paguhen nga paratë publike. Nëse edhe ju përfitoni nga paga e 13-të, atëherë duhet të jepni përgjigje se përse punëtorët e RTK-së duhet të përjashtohen nga ky përfitim”, thuhet në reagimin e SPERTK.
Kjo sindikatë ka theksuar se nëse kërkesat nuk adresohen, do të ndërmarrë veprime konkrete sindikale dhe juridike, duke mos përjashtuar as veprime më radikale sindikale, në përputhje me ligjin dhe vendimet e organeve sindikale.
Ndërkohë, në një përgjigje të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së është bërë të ditur se, pavarësisht sfidave të shumta financiare me të cilat është përballur transmetuesi publik gjatë këtij viti, është arritur të sigurohet ekzekutimi i rregullt i pagave, në përputhje me kontratat e punës.
“Sa i përket çështjes së pagës së 13-të, dëshirojmë t’ju informojmë se, për shkak të kufizimeve aktuale buxhetore, nuk kemi mundësi financiare për ekzekutimin e saj gjatë këtij viti, pasi buxheti i miratuar mbulon vetëm pagat bazë dhe obligimet e domosdoshme të institucionit. Megjithatë, paga e 13-të është përfshirë në projeksionin buxhetor, ndërsa kërkesa për buxhet shtesë për këtë vit është në proces të finalizimit dhe pritet të dorëzohet së shpejti tek institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e përbashkët të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së.
Bordi dhe Menaxhmenti kanë shprehur përkushtimin që, brenda mundësive financiare dhe kornizës ligjore, të angazhohen për sigurimin e mjeteve të nevojshme dhe realizimin e këtij obligimi.
Burimi: RTKLive




