Seanca gjyqësore në rastin ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati është shtyrë për 23 dhjetor, në orën 09:00.

Shtyrja erdhi pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku i cili kërkoi kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për t’u njohur me dosjen e rastit.
Millaku tha se ndonëse autorizimin për mbrojtjen e Jasharit e kishte dorëzuar që në vitin 2011, gjatë procedurës paraprake nuk i ishte mundësuar qasja në dokumentacionin e rastit.
Ai theksoi se nuk ishte njoftuar për veprimet procedurale dhe se aktakuzën e kishte pranuar vetëm në gjykatë.
Sipas tij, ishte e papranueshme që për zhvillimin e gjykimit të informohej përmes mediave.
“Autorizimin e kam dorëzuar që në vitin 2011, por asnjëherë nuk më është mundësuar qasja në dokumentet dhe dosjen e kësaj çështjeje. Kërkoj që seanca të shtyhet dhe të më jepet kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës”, deklaroi Millaku.
Në anën tjetër, prokurorja Fatmire Cacaj tha se shkresat e lëndës i ishin dorëzuar që në prill të këtij viti avokates Ardita Berisha, e cila ishte caktuar më herët për mbrojtjen e të akuzuarit.
Ajo shtoi se Millaku kishte pasur mundësi të interesohej për dokumentacionin.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Sulltane Hoti e aprovoi kërkesën e mbrojtjes, duke e caktuar seancën e radhës për 23 dhjetor, në orën 09:00. Po ashtu, ajo obligoi prokurorinë që t’ia dorëzojë mbrojtjes shkresat e lëndës.
Ndërkaq, në fillim të seancës, e cila u mbajt në mungesë të të akuzuarit, gjyqtarja lexoi deklaratën e njerkës së tij, Zyrafete Jashari.
Sipas deklaratës, ajo nuk ka informacione për vendndodhjen e Adnon Jasharit, pasi nuk mban komunikim me të.
Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet. Ajo u qëllua me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj. /Telegrafi/




