Një shtetas shqiptar, me inicialet D.M, 40 vjeç, është paraqitur para gjykatës në Cairns të Australisë, pasi akuzohet se ka ndihmuar një të burgosur të arratisur, O.R, 47 vjeç, që t’u shmangej autoriteteve për disa muaj.

Ai ishte arratisur në prill të këtij viti, gjatë ceremonisë mortore të vëllait të tij në Melburn, ku kishte marrë leje të posaçme për të marrë pjesë. Pas afro shtatë muajsh në arrati, ai u arrestua në zonën e Bamaga-s, në veri të largët të Queensland-it.
Së bashku me të u arrestuan edhe D.M dhe E.K, 46 vjeç. Të dy akuzohen për strehimin e një personi të arratisur, posedim të drogës së rrezikshme dhe posedim të pronës së dyshimtë.
Në seancën gjyqësore, avokati i D.M deklaroi se klienti i tij nuk e dinte se O.R ishte person i kërkuar nga policia dhe se udhëtimi i tyre në Cape York ishte thjesht një udhëtim për peshkim dhe kamping, shkruan ABC NEWS Australia.
Policia, ndërkaq, tha se gjatë kontrollit të automjetit ku udhëtonin tre personat u gjetën shtatë gramë kokainë dhe 46.900 dollarë australianë. Po ashtu, autoritetet gjetën një pasaportë zvicerane të dyshuar si të falsifikuar, transmeton Telegrafi.
Gjykata ia ka miratuar D.M lirimin me kusht, duke i vendosur disa masa, përfshirë detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në polici dhe dorëzimin e pasaportës.
Ai ka jetuar në Australi për rreth dhjetë vjet dhe është në proces të aplikimit për qëndrim të përhershëm.
Rasti pritet të rikthehet në gjykatë më 2 shkurt 2027./Telegrafi/





