Shqipëria ka zyrtarizuar pjesëmarrjen e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, përmes nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse në një ceremoni të mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në Tiranë.

Marrëveshja u nënshkrua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Nufi theksoi angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Gaza.
“Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza”, u shpreh Nufi.
Nënshkrimi i marrëveshjes formalizon pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë nismë ndërkombëtare, e cila synon të kontribuojë në stabilizimin e situatës së sigurisë në Gaza.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




