Një bimë tropikale, e përdorur prej mijëra vjetësh në mjekësinë tradicionale indiane, mund të ndihmojë në kontrollin e dëshirës për sheqer dhe konsumimin e ëmbëlsirave. Bëhet fjalë për Gymnema sylvestre, e njohur në Indi si “gurmar”, që përkthehet “shkatërruesja e sheqerit”, shkruan The New York Post.

Studimet e fundit sugjerojnë se ekstrakti i kësaj bime mund të zvogëlojë dëshirën për çokollatë dhe produkte të tjera të ëmbla. Në njërin prej studimeve, pjesëmarrësit konsumuan 21 për qind më pak çokollatë vetëm 15 minuta pasi përdorën një mente që përmbante katër miligramë ekstrakt të bimës.
Efekti ishte edhe më i theksuar te personat që kishin dëshirë të madhe për ëmbëlsira. Ata raportuan se çokollata u dukej më pak e shijshme dhe se kishin më pak dëshirë për të vazhduar konsumimin e saj.
Rezultate të ngjashme u vunë re edhe në një studim tjetër, i cili zgjati dy javë. Pjesëmarrësit me prirje për konsum të lartë të sheqerit, të cilët përdorën disa mente me ekstrakt të kësaj bime gjatë ditës, raportuan ulje të dëshirës për ushqime të ëmbla.
Si ndikon kjo bimë në perceptimin e shijes?
Efekti i Gymnema sylvestre lidhet me përbërësit e saj aktivë, të njohur si acide gjimnemike. Këto substanca ndikojnë te receptorët e shijes në gjuhë, duke dobësuar përkohësisht perceptimin e shijes së ëmbël.
Kur ekstrakti merret para konsumimit të ushqimeve me sheqer, ai mund ta bëjë çokollatën, karamelet dhe ëmbëlsirat më pak tërheqëse. Kjo mund të ndihmojë në kontrollimin e dëshirës për sheqer dhe në zvogëlimin e sasisë së ushqimit të konsumuar.
Studiuesit po shqyrtojnë edhe ndikimin në nivelin e sheqerit në gjak
Përveç ndikimit në dëshirën për ëmbëlsira, studiuesit po analizojnë edhe efektet e mundshme të kësaj bime në kontrollin e glukozës në gjak.
Disa studime sugjerojnë se acidet gjimnemike mund të pengojnë përthithjen e sheqerit në zorrë, duke ndihmuar në uljen e nivelit të glukozës pas vakteve. Po ashtu, të dhënat paraprake tregojnë se ekstrakti mund të ndikojë në prodhimin e insulinës nga pankreasi dhe të ndihmojë funksionimin e qelizave që e prodhojnë këtë hormon.
Megjithatë, provat shkencore deri më tani nuk janë të mjaftueshme që Gymnema sylvestre të rekomandohet si trajtim i pavarur për diabetin.
Disa kërkime kanë shqyrtuar edhe ndikimin e mundshëm të kësaj bime në nivelin e yndyrave në gjak. Në një studim me persona me mbipeshë të moderuar, përdorimi i ekstraktit u shoqërua me ulje prej 20 për qind të triglicerideve, rënie prej 19 për qind të kolesterolit LDL, të njohur si yndyra e dëmshme, si dhe rritje prej 22 për qind të kolesterolit HDL, që konsiderohet yndyrë e shëndetshme.
Megjithëse këto rezultate janë premtuese, studiuesit theksojnë se nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar përfitimet e mundshme të bimës.
Përdorimi i saj mund të ketë edhe rreziqe
Pavarësisht se është produkt natyral, ekstrakti i Gymnema sylvestre nuk është pa rreziqe. Ai mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak dhe, nëse përdoret njëkohësisht me barna për diabetin, mund të shkaktojë hipoglicemi, pra rënie të tepruar të glukozës.
Për këtë arsye, personat me diabet ose ata që përdorin barna për kontrollin e sheqerit në gjak duhet të konsultohen me mjekun përpara se të përdorin këtë ekstrakt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





