Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, gjatë qëndrimit në Hungari, ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet, në një pritje të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

Gjatë fjalës së saj, Shiroka Pula vlerësoi kontributin e mërgatës në historinë e Kosovës, duke theksuar rolin e saj në rezistencën paqësore, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.
Ajo çmoi gjithashtu përkushtimin e komunitetit kosovar në Hungari, i cili, përmes punës, sipërmarrjes dhe suksesit, kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Presidentja veçoi edhe praninë e rreth 300 studentëve nga Kosova në institucionet e arsimit të lartë në Hungari, duke shprehur shpresën që ata ta vënë dijen dhe përvojën e fituar në shërbim të zhvillimit të vendit.
Gjatë takimit, Shiroka Pula u bëri thirrje bizneseve të mërgatës që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe partneritete afatgjata në Kosovë.
Ajo theksoi se vendi ka nevojë për përvojën, dijen dhe energjinë e bashkatdhetarëve të saj për të avancuar zhvillimin ekonomik.
Në fund, presidentja i falënderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën, duke theksuar se dyert e atdheut mbeten të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në të ardhmen e vendit.



