Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është pritur në takim nga Presidenti i Hungarisë, András Baka, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, procesin e integrimit evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008.

“Presidentja theksoi rëndësinë e identifikimit të fushave të reja të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi, arsim dhe mbrojtje”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, presidentja ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Duke folur për integrimin evropian, Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Shiroka Pula ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it, duke vlerësuar rëndësinë e tij për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Në fund të takimit, ajo e ka ftuar presidentin hungarez për një vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
Burimi: RTKLive




