Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar mbështetjen e Hungarisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë takimit me homologun hungarez, András Baka.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, procesin e integrimit evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008. Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë kontekst, Presidentja theksoi rëndësinë e identifikimit të fushave të reja të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.
Duke folur për integrimin evropian, Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës, ndaj kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e vendit drejt statusit të kandidatit për anëtarësim dhe për hapat e mëtejshëm të procesit integrues.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kontributi për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.
Në fund të takimit, presidentja Shiroka Pula e ftoi homologun hungarez për vizitë në Kosovë, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




