Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, e cila pretendon se Izraeli po hedh gjarpërinj nga qielli mbi Rripin e Gazës, ka ngritur dyshime për autenticitetin e saj, pasi analizat kanë zbuluar shenja të përmbajtjes së gjeneruar me Al.

Pretendimi u shpërnda më 11 nëntor 2026 në platformën X, nga llogaria @eyakoby, me mbishkrimin: “Palestinezët tani po shpërndajnë pretendime se Izraeli po hedh gjarpërinj mbi Gazë. Këtë vërtet nuk mund ta shpikësh”.
Platforma e verifikimit të fakteve Lead Stories e analizoi videon 14-sekondëshe përmes dy sistemeve të specializuara për identifikimin e përmbajtjeve të krijuara me Al, Hive Moderation dhe Sightengine.
Sipas Hive Moderation, videoja kishte mesatarisht 70.4 për qind gjasa të ishte gjeneruar me AI, ndërsa probabiliteti që të përmbante të folur të krijuar artificialisht ishte 98.2 për qind.
Ndërkohë, analiza e Sightengine tregoi se në sekondën e 13-të të videos probabiliteti i gjenerimit me AI arrinte në 99 për qind.
Megjithatë, rezultatet ndryshonin gjatë videos, me disa momente që shënonin vetëm 1 për qind probabilitet, duke treguar se jo çdo pjesë e materialit ishte identifikuar si artificiale.
Verifikuesit zbuluan gjithashtu se në rrjetet sociale qarkullonin disa versione të ngjashme të videos, ku shfaqej i njëjti ambient, por me persona të ndryshëm.
Një version ishte publikuar në TikTok më 11 prill 2026, ndërsa një tjetër në Instagram më 4 shtator 2026, nga një profil i identifikuar nga platforma si profil me përmbajtje të gjeneruar me Al. /Telegrafi/





