Shefi i ushtrisë britanike lëshon paralajmërim të fortë për kërcënimin rus

Shefi i ushtrisë britanike lëshon paralajmërim të fortë për kërcënimin rus

Shefi i ushtrisë britanike lëshon paralajmërim të fortë për kërcënimin rus

Britania e Madhe po mbetet prapa aleatëve të saj evropianë në përballjen me kërcënimin gjithnjë e më serioz që paraqet Rusia. Kështu ka paralajmëruar shefi i ushtrisë britanike, i cili ka bërë thirrje që Londra të ndërmarrë hapa më të shpejtë për forcimin e mbrojtjes.

Sponsor 3M Express

Në një intervistë për Financial Times, shefi i Shtabit të Mbrojtjes, marshalli i aviacionit Sir Richard Knighton, tha se Britania duhet të arrijë nivelin e aleatëve evropianë, të cilët, sipas tij, janë më të vetëdijshëm për gatishmërinë në rritje të Kremlinit për të ndërmarrë rreziqe.

“Ky është periudha më e rrezikshme që kam përjetuar gjatë jetës sime të rritur”, deklaroi 57-vjeçari, duke shtuar se kërcënimi, kryesisht nga Rusia, por edhe në nivel global, po rritet, transmeton Telegrafi.

Knighton vlerësoi se Moska po tregon gjithnjë e më shumë tolerancë ndaj rrezikut, ndërsa paralajmëroi se termi “aktivitete hibride” nuk e përshkruan më plotësisht shkallën e veprimeve që dyshohet se po ndërmerr Rusia.

“Po flasim për atentate të shënjestruara, sabotime dhe sulme kibernetike. Këto janë veprime shumë reale të shtetit rus, për të cilat kemi prova në Evropë dhe, në një masë të caktuar, edhe në Britani”, tha ai.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur zyrtarët evropianë të sigurisë po hetojnë nëse një seri kërcënimesh për bomba ndaj kompanive ajrore dhe organizatave mediatike kanë origjinën në Rusi.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës të cituar nga Financial Times, agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës të disa vendeve kanë nisur një hetim të përbashkët për të përcaktuar burimin e kërcënimeve. Megjithatë, ata theksuan se ende duhet kohë para se përgjegjësia të mund t’i atribuohet zyrtarisht ndonjë pale.

Disa pjesëtarë të komunitetit të inteligjencës, megjithatë, besojnë se Rusia është përgjegjësja më e mundshme. Moska në të kaluarën ka mohuar përfshirjen në sulme hibride në territorin evropian.

Knighton tha se shteti britanik tashmë duhet t’ia shpjegojë publikut natyrën e kërcënimit rus, ndërkohë që përpiqet të arsyetojë nevojën për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje.

Ai foli edhe për përgatitjet e qytetarëve në rast të krizave të mundshme. Në një intervistë për BBC-në të dielën, ai tha se po i përgjigjej thirrjes së qeverisë që familjet të sigurojnë rezerva me ujë dhe ushqime, për shkak të shqetësimeve për ndërprerje të mundshme të furnizimeve nga veprimet e shteteve armiqësore.

I pyetur se çfarë kishte në pajisjet e tij të emergjencës në shtëpi, Knighton tregoi se këtë çështje e kishte diskutuar me bashkëshorten dhe se gjatë fundjavës kishte kontrolluar dollapët, ku kishte zbuluar se familja kishte një sasi të konsiderueshme ushqimesh të konservuara.

“Vendosa edhe disa rafte shtesë. Megjithatë, kjo është diçka për të cilën duhet të mendojmë të gjithë”, tha ai.

Sipas tij, linja e parë e mbrojtjes së vendit janë shërbimet emergjente dhe forcat e armatosura, por edhe qytetarët mund të kontribuojnë duke u përgatitur për situata të jashtëzakonshme.

Në një shkrim për The Independent muajin e kaluar, Knighton kishte theksuar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, në një kohë kur lufta është rikthyer në kontinent dhe siguria nuk mund të merret më si e mirëqenë.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka dëshmuar rëndësinë e gatishmërisë ushtarake, kapaciteteve industriale dhe qëndrueshmërisë kombëtare”, kishte shkruar ai.

Ai shtoi se vendet evropiane duhet të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e përbashkët.

“Çështja nuk është përgatitja për luftë, por parandalimi i saj”, theksoi Knighton, duke shtuar se historia ka treguar vazhdimisht se dobësia mund të nxisë agresionin, ndërsa forca ndihmon në ruajtjen e paqes.

Sipas tij, qëllimi i parandalimit është që kundërshtarët të binden se kostoja e një agresioni do të ishte shumë më e madhe se çdo përfitim i mundshëm. /Telegrafi/

Lexo edhe

Prishtina fiton ndaj Vushtrrisë, Drita ndalet nga Drenica

Prishtina fiton ndaj Vushtrrisë, Drita ndalet nga Drenica

Rrezik numër një për mërgatën është shkombëtarizimi që stimulohet nga islamizmi ekstremist

Rrezik numër një për mërgatën është shkombëtarizimi që stimulohet nga islamizmi ekstremist

Tensione të forta në BBVK, Akili ofendon rëndë Sharrin

Tensione të forta në BBVK, Akili ofendon rëndë Sharrin