Shefi i UNMIK-ut në OKB ngre shqetësimet për Specialen, kërkon përgjegjësi për Banjskën

Shefi i UNMIK-ut në OKB ngre shqetësimet për Specialen, kërkon përgjegjësi për Banjskën

Shefi i UNMIK-ut në OKB ngre shqetësimet për Specialen, kërkon përgjegjësi për Banjskën

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Peter Due, ka ritheksuar shqetësimet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet e miratuara në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke theksuar se duhet të respektohen integriteti dhe pavarësia e procedurave gjyqësore.

Sponsor 3M Express

Duke raportuar për zhvillimet në Kosovë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Due ka kritikuar edhe Policinë e Kosovës për mosndarjen e informatave me Kombet e Bashkuara gjatë protestave që u mbajtën pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, më 16 shtator.

Ai ka vlerësuar se Policia e Kosovës është sjellë në mënyrë paqësore gjatë 21 ditëve të protestave, por ka thënë se koordinimi dhe shkëmbimi i informatave me OKB-në kanë qenë joadekuate, ndonëse këto informata janë ndarë me vendet partnere ndërkombëtare.

“Pas periudhës së 16 shtatorit, aktgjykimi i Dhomave të Specializuara dënoi Thaçin dhe tre ish-komandantë për krime lufte, por jo për krime kundër njerëzimit. Demonstratat gjetiu pasuan këtë aktgjykim, shumica prej të cilave mbetën paqësore. Përgjithësisht, Policia e Kosovës është sjellë në mënyrë paqësore gjatë këtyre 21 ditëve të protestave. Koordinimi dhe ndarja e informatave me Kombet e Bashkuara ishte joadekuate, por jo edhe me vendet ndërkombëtare. I kam ngritur këto çështje në Prishtinë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kuvendi miratoi ndryshime, duke kufizuar kompetencat e Speciales. E riktheksojmë brengosena e BE-së… Të pandehurit kanë të drejtën e apelit… integriteti dhe pavarësinë e procedurave gjyqësore duhet të respektohen, dhe çdo veprim legjislativ duhet të jetë në përputhje me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Due.

Shefi i UNMIK-ut ka bërë të ditur se një aktgjykim tjetër lidhur me administrimin e drejtësisë është caktuar për 17 nëntor. Sipas tij, këto zhvillime po ndodhin në një kohë kur tensionet vazhdojnë në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe narrativat përçarëse nga e kaluara mbeten të pranishme.

Në raportin e tij, Due ka kërkuar gjithashtu bashkëpunim të plotë nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.

Ai ka theksuar se gjatë gjashtë muajve të fundit janë shënuar tensione të larta në Kosovë dhe në rajon.

Ndonëse zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë i ka vlerësuar si paqësore, Due ka thënë se pasiguria politike dhe retorika nxitëse kanë vazhduar edhe pas tyre.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për incidentet që lidhen me rrënimet dhe dëbimet, veçanërisht në veri të Kosovës, duke vlerësuar se ato kanë ndikuar në të drejtat pronësore dhe mund të kenë pasoja socio-ekonomike për komunitetet lokale dhe bizneset.

Në raportin e tij, Due ka përmendur edhe riintegrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe pretendimet për keqtrajtim të serbëve nga Policia e Kosovës, pas veprimeve të autoriteteve ligjzbatuese më 28 qershor në Gazimestan. Ai ka bërë të ditur se Inspektorati Policor ka hapur hetimet lidhur me këto pretendime.

Sipas tij, institucionet shëndetësore dhe arsimore të udhëhequra nga Serbia, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, vazhdojnë të përballen me sfida që, sipas raportit, burojnë nga veprimet e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe ato që lidhen me organizimin e pelegrinazheve.

“Nëse i marrim individualisht, disa prej këtyre zhvillimeve mund të duken të lokalizuara dhe administrative, por, të marra së bashku, përforcojnë perceptimin e pasigurisë dhe të trajtimit të pabarabartë të serbëve të Kosovës, duke ndikuar në karakterin shumëetnik të Kosovës”, ka thënë Due.

Ai e ka mirëpritur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente të Kosovës, ndërsa ka theksuar rëndësinë e rifillimit të progresit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përkushtimi i vërtetë nga të dyja palët është i domosdoshëm për të arritur progres të dukshëm. I vlerësoj përpjekjet e vazhdueshme të BE-së. I inkurajoj t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, të formojnë Asociacionin dhe të ndërmarrin hapat për uljen e tensioneve”, ka deklaruar ai.

Në fund, shefi i UNMIK-ut ka folur edhe për çështjen e personave të pagjetur, duke bërë të ditur se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, ka vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me mbështetjen edhe të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Due, aktualisht 1 mijë e 577 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Të paktën 153 të vrarë nga sulmi me dron në Sudan, flakët përfshijnë tregun

Të paktën 153 të vrarë nga sulmi me dron në Sudan, flakët përfshijnë tregun

Rama: Le t’ua vëmë Lojërave Mesdhetare emrin “Albin Kurti 2030”, vetëm të mos i humbim

Rama: Le t’ua vëmë Lojërave Mesdhetare emrin “Albin Kurti 2030”, vetëm të mos i humbim

Britania thirrje Serbisë t’i dorëzojë përgjegjësit për Banjskën, përfshirë Radoiçiqin

Britania thirrje Serbisë t’i dorëzojë përgjegjësit për Banjskën, përfshirë Radoiçiqin